Tiranë, si e kaluan natën studentët në temperatura nën zero para Kryeministrisë

Studentët nuk i kanë ndalur protestat e tyre, pavarësisht kërkesës së vazhdueshme të Kryeministrit Rama për të dialoguer.

Marketing

Temperaturat nën zero dhe 7 ditë në protestë nuk i kanë penguar studentët e fakulteteve të Tiranës që të vijojnë rezistencën e tyre deri në plotësim të kërkesave nga qeveria.
Dhjetëra të rinj zgjodhën ta kalonin natën të ndarë përpara institucionit të Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit. Solidariteti i disa prej qytetarëve të Tiranës ka bërë që në mesnatë pranë tyre të mbërrinin ushqim, çaj, batanije dhe disa dru zjarri për ngrohje.

Sipas informacioneve të “Panorama”, si pasojë e temperaturave të ulëta, dy prej studenteve që dëshironin të qëndronin përgjatë natës përpara Kryeministrisë, janë dërguar në spital për të marrë kujdes mjekësor për shkak se nuk janë ndierë mirë.

PROTESTAT

Mungesa e dakordësisë për vendin, në të cilin do të duhej të mbahej protesta e kësaj të mërkure, solli si rezultat zhvillimin e dy protestave të ndryshme. Grupimi i protestuesve përpara Kryeministrisë ka vijuar të qëndrojë aty, ndërkohë që në mbështetje të tyre, protestës iu bashkuan edhe studentë të fakulteteve të tjera dhe gjimnazistë të Tiranës. Protestës përpara godinës së Kryeministrisë iu bashkua edhe profesori Edmond Tupja, i cili vetëm një orë më parë ishte njohur me procedimin nga Policia e Tiranës për zhvillimin e protestave të paligjshme. Në sheshin përpara Kryeministrisë ishte edhe aktori Julian Deda, i cili inkurajoi studentët të vijonin me protestën e tyre.

Edhe studentët që kaluan natën përpara godinës së Ministrisë së Arsimit u shtuan në numër pas orë 10:00, kur studentët e Tiranës dhe disa të ardhur nga rrethet iu bashkuan protestës së tyre. Ashtu siç edhe kishin bërë me dije, studentët përpara godinës së Ministrisë së Arsimit kishin marrë me vete fletë të bardha dhe libra për të lexuar. Në mesditë, ata shtuan edhe një pikë të 9-të në kërkesat e tyre, duke kërkuar heqjen e procedimeve penale për studentët dhe pedagogët nga Policia. Sipas tyre, fjalët pas shtatë ditë proteste ishin të tepërta dhe tani pritet vetëm reagimi i qeverisë. Protestat përpara Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit kanë zgjatur deri në mesnatë, ndërkohë që sot studentët pritet të protestojnë së bashku.

PARLAMENTI

Thirrja që ka shoqëruar më shumë 8 ditët e protestës së studentëve ka qenë “Jo politikë”. Kushdo që ka marrë në dorë megafonin, ka bërë thirrje që protesta të mos politizohet. Sot, studentët kanë vendosur që gjithçka që kanë artikuluar këto ditë t’i thonë përpara institucionit, në të cilin ‘gatuhet’ politika, Parlamentin e Shqipërisë. Në orën 10:00, kur deputetët e maxhorancës do të vijnë për të zhvilluar seancë plenare, studentët do të jenë duke protestuar për plotësimin e kërkesave të tyre. Të dyja grupet që kanë protestuar përpara Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë kanë dakordësuar që vendgrumbullimi i protestës së tyre në ditën e 9-të të saj të jetë përpara Parlamentit.