Edhe pse për një afat të shkurtër për më pak se katër muaj do të vjetërsohet lënda “Titanik 2” ku të akuzuarit, ish-shefi i DSK-së Sasho Mijallkov, kryetari i PDSh-së Menduh Thaçi dhe ish-anëtarë të tjerë të KShZ-së, mund të lirohen nga ndjekja penale, anulohet seanca gjyqësore.
Nga Gjykata penale theksojnë se shërbimet e burgut të Strugës, nuk e kanë zbatuar urdhërin për sjelljen e të akuzuarit Sasho Mijallkov në seancë gjyqësore edhe pse urdhëresa është dorëzuar në mënyrë të rregullt.
Ndërkohë, nga Drejtoria e burgut të Strugës, fajin për mos sjelljen e Mijallkov-it në seancë gjyqësore, ia kanë lënë Gjykatës Penale në Shkup.
Sipas tyre, është gjykata ajo që ka bërë gabim teknik dhe se nuk kanë pasur urdhëresë për sjelljen e të akuzuarit më 22 dhjetor.
“Bëhet fjalë për gabim teknik nga ana e Gjykatës Penale. Në institucionin tonë fillimisht morëm urdhër për sjelljen e të akuzuarit Sasho Mijallkov më 28 nëntor dhe 12 dhjetor dhe mbi këtë urdhëresë kemi vepruar. Seanca gjyqësore e 12 dhjetorit u anulua dhe pastaj më 14 dhjetor arriti kërkesë e re nga Gjykata penale për personin e njëjtë. Në këtë kërkesë data e seancës gjyqësore ishte 12 dhjetor, sikurse ajo e mëparshmja.”, ka thënë drejori i Burgut, Valon Qyla.
Për të sqaruar këtë situatë, nga Drejtoria për zbatimin e sanksioneve, theksojnë se do të realizojnë mbikëqyrje të jashtëzakonshme për të vërtetuar gjendjen faktike, për të cilën i akuzuari Sasho Mijallkov nuk është sjellur nga burgu i Strugës për gjykim.
“Do të vërtetohet përgjegjësi dhe do të sanksionohen të gjithë që kanë bërë lëshime të qëllimshme apo të pa qëllimshme. Për mbikëqyrjen e jashtëzakonshme, publiku do të informohet në mënyrë plotësuese.”, informojnë nga Drejtoria për zbatimin e sanksioneve.
Gjykata penale në vitin 2019 e shpalli fajtor ish-shefin e DSK-së Sasho Mijallkov për shpërblim dhe ndikim kundërligjorë. Sipas akuzës së PSP-së, Mijallkov përmes Liderit të PDSh-së, Menduh Thaçi, ka porositur që bashkëpartiaku i tij Bedredin Ibraimi, anëtarë në KShZ, të votojë për prishjen e votimit në një vendvotim në Strumicë, në favor të VMRO-DPMNE-së.
Në dhjetor të vitit 2019 Gjykata e apelit anuloi vendimin e shkallës së parë dhe ktheu lëndën në rigjykim.