Me dëgjimin e “bombave” vazhdoi gjykimi për rastin “Titanik” për manipulimet e tre cikleve zgjedhore. I akuzuari, Mile Janakievski, në një bisedë të përgjuar me Daniella Rangellovën, u dëgjua i pakënaqur dhe i nevrikosur se drejtoresha e një shtëpie për fëmijë pa prindër në Shkup nuk ka menaxhuar votimin e fëmijëve të këtij institucioni për kandidatin e VMRO-së për shkak të agjërimit të saj.
“Mile, kjo drejtoresha fare nuk bashkëpunon. Nuk erdhi sepse po agjëron. Duhej të shkonte në liturgji. Edhe unë agjëroj, por nuk shkoj në liturgji”,- i ankohet Rangellova Jankievskit, ndërsa ky i fundit i nevrikosur i thotë: “Largoje! Kisha është më e rëndësishme se partia?”. Ndërkohë Rangellova i përgjigjet se e ka larguar drejtoreshën religjioze.
Në një bisedë tjetër, Janakievski është dëgjuar se si e ka koordinuar votimin e një të dënuari të lëshuar në liri, të kthehet dhe të votojë në burgun e Idrizovës për kandidatin e VMRO-DPMNE-së për komunën Qendër në vitin 2013.
Edhe e akuzuara tjetër në këtë rast, Gordana Jankullovska, u dëgjua në disa përgjime të lëshuara në gjykatë se si ka planifikuar t’i pengojë personat të cilët në mënyrë grupore kanë vendosur të votojnë kundër kandidatit të VMRO-së në Kumanovë, t’i dërgojë veturat e tyre në kontroll teknik të jashtëzakonshëm dhe në këtë mënyrë t’i parandalojë të votojnë.
PSP në rastin “Titanik” akuzon ish kryeministri Gruevski bashkë me ish ministrat dhe funksionarë të tjerë të lartë të VMRO-së për shkelje të së drejtës së votës, të lirisë së zgjedhjes së votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrimin e materialeve zgjedhore dhe shpërdorimin e fondeve për financimin e fushatës zgjedhore të VMRO-së në vitin 2011 dhe 2013.