“Titanik” vazhdoi me dëgjimin e “bombave” të PSP-së, kanë mbetur mbi 900

Me dëgjimin e një pjese të mbi 900 “bombave” të mbetura sot në Gjykatën penale në Shkup vazhdoi gjykimi në lëndën “Titanik” të Prokurorisë Speciale Publike, në të cilën në bankën e të akuzuarve janë të ulur disa ish-funksionarë. Gjykimin e udhëheq gjykatësi Osman Shabani, ndërsa në sallën e gjykatës të pranishëm janë të gjithë të akuzuarit, si dhe përfaqësuesi i aktakuzës, prokurorja speciale Lile Stefanovska.

Marketing

Në fillim të seancës së sotme gjyqësore mbrojtja kërkoi nga gjykata që të vlerësohet se në seancë është i pranishëm këshilltari teknik dhe njëherit kërkoi kontroll në CD-në nga e cila po riprodhohen bisedat. PSP kësaj iu kundërpërgjigj se mund të vijnë në Prokurori ku kjo do t’u mundësohet. Pas këtyre vërejtjeve fillestare gjykimi vazhdoi me dëgjimin e “bombave”. Dëgjimi i “bombave” filloi të enjten, ndërsa vazhdoi të premten me dëgjimin e 106 nga gjithsej 1.063 “bomba”.

Deri tani në incizime janë dëgjuar biseda midis ish-ministres së Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, ish-ministrit të Transportit Mile Janakieski, ish-ministrit të Financave Zoran Stavreski, shefit të Kabinetit të ish-kryeministrit Martin Protugjer dhe persona të tjerë rreth fushatës zgjedhore për zgjedhjet në vitin 2013. Për lëndën “Titanik”, PSP ka dorëzuar 5.910 materiale dëshmuese dhe ka propozuar 191 dëshmitarë.

Të akuzuar janë ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish funksionarët Martin Protugjer, Kirill Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankulloska, Biljana Brishkoska Boshkovski, si dhe Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temellko, Leko Ristovski, Kirill Todorovski, Katerina Vellovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashajkovska.

Ata janë të dyshuar për shoqërim kriminel, shkelje të së drejtës votuese, shkelje të lirisë së përcaktimit të zgjedhësve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve për financim të fushatës zgjedhore në vitin 2012.