Tjetër akuzë për Shakirën, rrezikon të dënohet me 8 vjet burg

Revistat ndërkombëtare e kanë vendosur sërish Shakirën në faqet e tyre të para, pasi këngëtarja u akuzua për një tjetër rast evazioni fiskal në Spanjë.

Marketing

Prokurorët spanjollë kanë akuzuar yllin e popit, se nuk ka paguar 6.7 milionë euro taksa për të ardhurat e saj në vitin 2018.

Sipas asaj që autoritetet e ngarkuara me çështjen deklaruan, Shakira kishte përdorur një kompani offshore me bazë në një parajsë fiskale për të shmangur pagesën e taksës së atij viti.

Kjo është hera e dytë që këngëtarja 46-vjeçare akuzohet për evazion fiskal. Shakira do të duhet të marrë pjesë në gjyqin e parë në fund të nëntorit, pasi dyshohet se ka shmangur 14.5 milionë euro në taksa midis viteve 2012 dhe 2014.

Në këtë rast specifik, prokurorët e Barcelonës thanë se ylli kaloi më shumë se gjysmën e asaj periudhe dyvjeçare në Spanjë dhe për rrjedhojë, duhej të kishte paguar taksat në vend, pavarësisht se rezidenca e saj zyrtare ishte në Bahamas.

Shakira i mohoi me forcë akuzat, duke i quajtur ato “të rreme” dhe duke thënë se ajo kishte paguar gjithçka që i detyrohej qeverisë.

“Dihet mirë që autoritetet tatimore spanjolle shpesh bëjnë akuza të tilla, jo vetëm me personazhe të famshëm si unë, por kjo u ndodh padrejtësisht edhe taksapaguesve të rregullt. Është thjesht stili i tyre. Por kam besim se kam prova të mjaftueshme për të mbështetur çështjen time dhe se drejtësia do të mbizotërojë në favorin tim”, tha këngëtarja në një intervistë në shtator 2022.

Megjithatë, nëse shpallet fajtore në këtë gjyq të parë, Shakira mund të përballet me një dënim me tetë vjet burg për mashtrimin e thesarit spanjoll. Ajo gjithashtu mund të gjobitet me 19.2 milionë stërlina.