Toksikologjia “toksike” për punonjësit shqiptarë!

“Nëse dëshironi luftë, do të keni, madje edhe bombë bërthamore, të hënën pas kujdestarisë dua që Intensivja të jetë e pastër, pa SHQIPTARË”

Marketing

“Deri sa ishim në kohën e Titos, Maqedonia ishte vend i bukur për të jetuar, po pastaj zbritën këta nga mali dhe u përzi i gjithë shteti”.

Këto pretendohet të jenë deklaratat që doktor Niko Beqarovskit t’ua ketë thënë të punësuarve me kontratë në vepër në Klinikën e Toksikologjisë. Ata këtë gjuhë e kanë denoncuar pranë Ministrisë së Shëndetësisë, në këtë dokument që mban datën 26 prill, të publikuar nga vetë Ministria në faqen e saj në Facebook.  Në deklaratat e të punësuarve përmendet edhe mbështetja që drejtori Danill Petrovski i ka dhënë gjuhës fyese të Beqarovskit dhe infermiereve ndaj të punësuarve me kontratë në vepër.

Ky dokument u publikua pasi paraprakisht Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri, e shkarkoi Danill Petrovskin nga detyra e drejtorit mjekësor të Toksikologjisë, funksion që e kishte marrë më 15 dhjetor. Në shkrimin sipër dokumentit me deklaratat e të punësuarve, Ministria sqaron se Dr. Petrovski është shkarkuar për shkak të pandërgjegjshmërisë gjatë periudhës së kaluar.

“Edhe pse ka pasur pëlqim për vazhdimin e kontratave të punës për 18 persona, ai nuk ka vepruar. Të angazhuarit kanë shkuar në punë pa kontratë dhe pa pagesë për punën e tyre, duke lënë 18 familje pa të ardhura! Gjatë mandatit të tij Klinika ishte e përmbytur dhe e pasiguruar kurse ndaj të angazhuarve ka pasur sjellje joprofesionale me kërcënime dhe nënçmime të përditshme në bazë nacionale. Ju njoftojmë se ish-drejtori i mjekësisë dr. Petrovski nuk është shkarkuar para zgjedhjeve për të mos nxitur padurimin në bazë nacionale”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Për shkarkimin, dr. Petrovski, në një deklaratë për portalin SKD, është shprehur se nuk e di sa është e ligjshme të pushohet nga puna gjersa është në pushim vjetor dhe nëse ministri ka të drejtë ta shkarkojë deri në formimin e qeverisë së re. E pranon se ndonëse është në pushim vjetor, ka kujdestaruar gjatë turnit të tretë, por shprehet se kjo nuk bie ndesh me Ligjin për shëndetësi.

Nga ana tjetër, mjeku Niko Beqarovski ka mohuar akuzat për fyerje mbi baza etnike që i janë bërë nga të punësuarit me kontratë në vepër në Toksikologji. Përgënjeshtrimin e ka bërë në komentet poshtë postimit të Ministrisë së Shëndetësisë. Këto Beqarovski i drejtohet direkt ministrit Demiri, duke i thënë se shpreson që ky postim është bërë pa dijeninë dhe miratimin e tij, se deklaratat janë të rrejshme, që dëmtojnë reputacionin e tij dhe se për të përfshirët do të ketë padi.

“Të imponosh çdo fyerje nacionale është paksa e neveritshme. Edhe unë, ashtu si ju, kam qenë gjithmonë një mbështetës ekskluziv i profesionalizmit maksimal, bazuar në cilësinë dhe sistemin e meritave, pa asnjë paragjykim tjetër. Në mënyrën më kolegjiale, ju kërkoj që brenda 24 orëve të ardhshme të distancoheni publikisht nga ky postim fatkeq në faqe dhe të kërkoni falje për dëmtimin e nderit dhe reputacionit tim”, shkroi Niko Beqarovski.

Me reagim përmes një letre të hapur kanë dalë disa punonjës të Toksikologjisë, duke thënë se gjithçka që është shkruar kundër doktor Beqarovskit nuk është e vërtetë.]