Tre demante, të kompletuara me të njëjtën mënyrë dhe me një narrativ të ngjashëm, fjali të parafrazuara dhe inverzuara. Në adresë të televizionit Alsat mbrëmë arritën demante nga Qeveria, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe firma “Topolki” ku menaxher është Todor Angjushev, vëllai i Zëvendëskryeministrit Koço Angjushev. Arsyeja e reagimit është dokumenti nga Shërbimet e Transportit dhe Lidhjeve deri tek Zyra e Avokatit të Shtetit ku kërkohet mendim juridik për marrjen me qira të tokës nga kompania “Topolki” në pronësi të vëllezërve Angjushev. PR Shërbimi i Qeverisë dhe agjencia që e përfaqëson firmën e Todor dhe Koços kërkojnë falje publike nga mediumi. Arsyeja është përmbajtja e kontributit të djeshëm, në të cilin thuhet se rastësisht ose jo dy nga nëpunësit që e kanë përgatitur kërkesën, dy ditë më vonë janë arrestuar në një rast tjetër “Shkallët Spanjolle”.
Antikorrupsioni shqyrton konflikt të mundshëm interesi gjatë marrjes me qira të tokës shtetërore ndërtimore nga vëllezërit Angjushev. Nga atje informojnë se po mblidhen dokumente. Alsat kontaktoi një ish anëtar të komisionit antikorrupsion. Arif Musa sqaron se qeveria duhej të priste mendimin e Antikorrupsionit dhe më pas ta jepte tokën me qira kompanisë Topolki.
Alsat tashmë ka njoftuar se më 11 qershor të këtij viti, qeveria ka marrë një vendim dhe ka dhënë me qira 32 parcela me mbi 9,000 metra katrorë për të ndërtuar hidrocentral kompania Topolki .Vendimi u publikua në Gazetën Zyrtare më 21 qershor, dhe pesë ditë më vonë nëpunës të Ministrisë së Transportit kërkojnë që Avokati i Shtetit të lëshojë një mendim juridik mbi qiramarrjen. Përndryshe, në kompaninë “Topolki” drejtor është Todor Angjushev, vëllai i Zëvendës Kryeministrit Koço Angjushev. Pronar i Topolki është kompania Hidro Holding, dhe bashkë-pronar në pronësinë e “Topolki” është edhe “Fero Invest”, ku pronarë janë Koço dhe Todor Angjushev dhe një person tjetër. Megjithëse antikorrupsioni nuk ka vendosur ende nëse ka apo jo një konflikt interesi në qiramarrjen, qeveria theksoi që e gjithë procedura është e ligjshme dhe nuk ka konflikt interesi.