Tornado shkatërron Alabamën, 23 të vdekur

Të paktën 23 persona, mes tyre edhe fëmijë, kanë humbur jetën pasi tornadot goditën Alabaman në jug të Shteteve të Bashkuara.

Marketing

Përveç viktimave, tornado ka shkaktuar dëme “katastrofike” në ndërtesa dhe rrugë, kanë thënë zyrtarët lokalë.
“Fatkeqësisht, numri i viktimave aktualisht është 23”, ka thënë sherifi, Jay Jones për mediat.

Sipas tij, edhe personat të tjerë janë dërguar në spital, disa prej tyre me “plagë serioze”. Numri i të lënduarve ende nuk dihet.

Ekipet e kërkim-shpëtimit ndaluan operacionin gjatë natës për ta rinisur në mëngjes për shkak të rrezikut.
Më shumë se 6,000 shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike në Alabama, derisa dëmet janë vërejtur edhe në shtetin fqinj, Xhorxhia.

Në disa pamje shihet sesi pemët janë ndarë në dysh nga stuhia e fuqishme, rrugët janë shkatërruar dhe shtëpitë janë rrëzuar.

Presidenti amerikan, Donald Trump u ka bërë thirrje banorëve të këtij vendi, përmes një postimi në Twitter, që të jenë “të kujdesshëm dhe të sigurt”.

“Stuhitë janë shumë të ashpra por edhe më keq mund të bëhet. Zoti ju bekoftë të gjithë juve, familjeve dhe shokëve të viktimave si dhe të plagosurve”, ka thënë ai.