Tornadot shkatërrojnë shtetin e Tennessee, gjashtë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur

Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën si pasojë e stuhive të forta dhe tornadove që përfshinë ditën e djeshme shtetin e Tenesi në SHBA.

Marketing

Tre persona janë konfirmuar të vdekur në Madison, në veri të Nashville.

“Fatkeqësisht, mund të konfirmojmë se ka tre viktima si pasojë e motit të rëndë në Nesbitt Lane. Ne kemi ekipe në terren që po vlerësojnë dëmet dhe kërkojnë për të tjera viktima”, thanë zyrtarët e menaxhimit të emergjencave.

Zyrtarët në Montgomery County konfirmuan gjithashtu tre vdekje, duke përfshirë një fëmijë, pasi një tornado goditi zonën e Clarksville.

“Në këtë moment mund të konfirmojmë se tre persona kanë vdekur, dy të rritur dhe një fëmijë, si pasojë e tornados që goditi zonën këtë pasdite. Përveç kësaj, 23 persona janë shtruar në spital”, thuhet në një deklaratë të qeverisë së qarkut Montgomery.

Qyteti i Clarksville shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të shtunën mbrëma, ndërsa policia vendosi një shtetrrethim në orën 21:00. Autoritetet po ashtu kanë sqaruar se janë ende në fazën e kërkimit dhe shpëtimit për të përcaktuar nëse ka më shumë të vdekur apo të plagosur.

“Kjo është një ditë e trishtë për komunitetin tonë. Ne po lutemi për ata që u plagosën, humbën të dashurit dhe shtëpitë e tyre”, tha në një deklaratë kryetari i qarkut Wes Golden.

Ndërkohë në qarkun Sumner zyrtarët qeveritarë thanë të shtunën se kishte dëme të konsiderueshme, të shkaktuara nga një tornado që goditi Gallatin dhe Hendersonville, në verilindje të Nashville.