Tottenhami e turpëron Chelsean duke ia shkaktuar humbjen e parë në ligë

Tottenhami është përkujdesur t’ia ndërpresë Chelseat ecurinë e përkryer pa humbja në Premierligë duke e mundur 3-1 në derbin e javës së 13-të të shtunën në Londër.

Marketing

Skuadra e Maurizio Sarrit po vinte nga një ecuri pozitive pa humbje, tetë fitore dhe katër barazime, por u mund nga Tottenhami 3-1 dhe si pasojë skuadra e Mauricio Pochettinos tani i rrëzon të kaltrit nga pozita e tretë në renditje.

Vendasit e nisen furishëm ballafaqimin në “Wembley”, duke kaluar në epërsi pas vetëm tetë minutave lojë, kur Dele Alli realizoi me kokë pas një super harkimi nga Christian Eriksen.

Vetëm tetë minuta më vonë, Harry Kane goditi fuqishëm nga largësia dhe e dyfishoi epërsinë me një super gol. Këtu u ndalen golat e Tottenhamit në pjesën e parë, por jo edhe sulmet e shpeshta që e bënë skuadrën vizitore të vuante.

Son Heung-Min ka mundur të shënonte dy gola, sikur të ishte më i saktë në mundësitë që iu dhanë.

Megjithatë, jugkoreani ia doli të shënoi golin e tretë të Tottenhamit në fillim të pjesës së dytë, kur e shëtiti mbrojtjen e dobët të Chelseat në këtë takim.

Për të kaltrit, golin e nderit e realizoi e sapo futuri në lojë, Oliver Giroud, i cili realizoi në minutën e 85-të.

Tottenham tani grumbullon 30 pikë dhe ngjitet në pozitën e tretë, duke e rrëzuar Chelsean në pozitën e katërt me 28 pikë.