Trafikonin hashash me çanta drejt Greqisë, Gjykata për Krime të Rënda lë në burg 18 të arrestuarit

Gjykata për Krime të Rënda ka lënë në burg të gjithë personat e arrestuar në operacionin e trafikut të kanabisit nga Saranda në drejtim të Greqisë. Togat e zeza lanë në burg 18 të arrestuarit në sajë të operacionit “Brezi i gjelbër”, 14 prej të cilëve u arrestuan në Sarandë, dhe 4 të tjerë që ishin në burg për vepra të tjera, këtyre të fundit ju komunikua masa e arrestit për të dytën herë. Ndërkohë u konfirmua nga Gjykata lënia në fuqi e masës detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë Shqipërisë për dy gra, Jonida Jorgji dhe Poliskeni Korro, me pseudonimin Sara. Kjo e fundit është e dashura e Kejdi Sadushit, personit të sapoliruar nga një burg në Greqi, të rikthyer në atdhe ku edhe rinisi trafikun e kanabisit. Ndërkohë, Jonida është gruaja e një tjetër të arrestuarit, Mikel Jorgjit. Ky i fundit, në bisedat e përgjuara nga prokuroria, rezulton të jetë kërcënuar edhe me fëmijët, pasi policia në një rast kishte kapur një makina me kanabis në Tepelenë. Prokurori Anton Martini kërkoi nga gjykata masat “arrest në shtëpi” për dy gratë që konsiderohen pjesë e këtij grupi. Donald Nelaj dhe Ervis Hysaj, bashkëpunëtorë me njëri-tjetrin, janë të dënuar për vepra të tjera penale dhe aktualisht janë në burg, por hetimet 10 mujore për rrjetin e trafikut zbuluan përfshirjen e tyre. Të dy kërcënonin Mikel Jorgjin pasi rezulton se Jorgji kishte qenë lidhja e tyre me disa pjesëtarë të grupit nga Tepelena. Pjesë e grupit që kanë mbetur në burg, janë edhe nëndrejtori i Spitalit të Sarandës Florenc Llanaj dhe futbollisti i Delvinës, Adrian Xhibro. Mes të arrestuarve është edhe Malo Malaj, vëllait të Gjolek Malajt, personazhit të njohur në revoltat e armatosura popullore në Tepelenë në ’97-ën. Seanca e djeshme u zhvillua me dyer të mbyllura me kërkesë të prokurorit Anton Martini pasi ky i fundit ka urdhëruar dy ditë më parë edhe një hetim për nxjerrje të sekretit hetimor.

Marketing

Hetimet dhe Arrestimet

Pas 10 muaj hetimesh Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit njoftuan se kishin goditur në bashkëpunim me autoritetet në Greqi, një organizatë të trafikut të drogës. Në një njoftim për shtyp policia tha se aksioni që u finalizuar me arrestimin e 14 personave, përfshi nëndrejtorin e spitalit të Sarandës Florenc Llanaj dhe një futbollist të Delvinës që dyshohen si të përfshirë në trafik. Në një komunikim për mediat policia bëri me dije se në 10 muaj hetime ishin arrestuar 61 persona shqiptarë dhe të huaj, në Shqipëri dhe Greqi dhe ishin sekuestruar 1 ton kanabis. “Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, dhe në bashkëpunim me Agjenci të tjera ligjzbatuese në vend, në bashkëpunim të ngushtë mes Njësisë për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në DHQ dhe Autoriteteve Policore Greke, Sektorin Antidrogë, Athinë, si dhe falë koordinimit nga Qendra për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore SELEC, Rumani, pas një hetimi pro-aktiv përgjatë një harku kohor 10 mujor, duke aplikuar metodat speciale të hetimit, dhe këmbim informacioni e korrespodence me agjenci ligjzbatuese brenda e jashtë vendit, u finalizua operacioni i koduar “Brezi i gjelbër”, njoftoi policia. Sipas policisë bëhej fjalë për një “Mega Operacion” dhe se grupi i të dyshuarve u ndoq për 10 muaj, ndërkohë që një sërë rastesh trafiku droge u goditën gjatë kësaj kohe. Policia bëri me dije se ishin zbuluar 11 raste të trafikut të kanabisit në Greqi dhe katër raste, përfshi kapjen e një sasi prej 200 kilogramësh hashash, në Shqipëri. Ndërkohë përgjimet ndaj personave të përfshirë zbuluan edhe një rast të dyshuar korrupsioni në drejtësi që përfshin një prokuror të Gjirokastrës. Po ashtu nga përgjimet e grupit të narkotrafikut u kapën edhe 6 të dyshuar për vjedhje me dhunë. Policia bëri me dije se në aksionin e fundit u arrestuan 14 persona. “Gjatë operacionit ku angazhuan qindra forca policie u kapën dhe u ndaluan 14 shtetas si dhe janë ushtruar rreth 30 kontrolle banesash dhe ambientesh të tjera”, njoftoi policia. Po ashtu sipas policisë u sekuestruan disa makina, municione dhe armë.

Marketing