Tre persona kanë mbetur të vdekur nga gjuajtja me armë zjarri ndaj një autobusi që ndodhi para katër ditësh në Gllogjan të Komunës së Pejës.
E katër ditë pas ngjarjes që tronditi vendin, policia është ende duke u marrë me mbledhjen e informacioneve që do të ndihmonin prokurorinë në zbardhjen e rastit, për të cilin ende nuk ka të dyshuar.
Në një prononcim për lajmi.net, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka thënë se policia po vazhdon patrullimin në rrethinën e vendit ku ndodhi sulmi me armë zjarri ndaj autobusit.
“Nuk ka ndonjë arsye për tu patrolluar në vendin e ngjarjes, por normalisht po patrullohet në rrethinë. Tashmë dëshmitë janë tërhequr nga vendi ngjarjes nga hetuesit dhe tash po vazhdohet me aktivitete rreth mbledhjes së informacionit për rastin”, ka thënë Gashi.
Tutje, ai ka thënë se nuk është në dijeni nëse është zbuluar diçka e re rreth rastit, pasi që tashmë është në dorën e prokurores së rastit.
“Mund të ketë diçka të re por ne nuk e dimë pasi që rasti është në prokurori dhe prokurorja nuk na ofron neve informacionet tani”, ka thënë Gashi.
Ai ka deklaruar se tashmë është kërkuar bashkëpunim i qytetarëve për ndonjë informacion të mundshëm rreth rastit, duke thënë se kjo do ta ndihmonte edhe punën e policisë dhe të organeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes.