Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Dubravë të Kaçanikut, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri, një person ka ndërruar jetë teksa një tjetër ka mbetur i plagosur.
Nga Policia e Kosovës kanë thënë se i plagosuri është transportuar menjëherë në QKUK për trajtim, shkruan lajmi.net.
“Policia e kishte marrë informacionin se dy persona kishin marrë plagë nga arma e zjarrit. Mjeku prezent në vendin e ngjarjes e ka konfirmuar vdekjen e viktimës.Ndërsa, personi tjetër i lënduar është transportuar për ndihmë mjekësore në Ferizaj, dhe më pas në Prishtinë”,ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Mediat lokale nga Kaçaniku kanë konfirmuar se viktima e këtij rasti është H.B(emër i njohur për redaksinë), teksa i dyshuar për vrasjen është H.Q(Po ashtu emër i njohur për redaksinë).
Siç kanë konfirmuar nga Prokuroria, viktima dhe i plagosuri janë vëllezër mes vete, teksa përveç H.Q, është edhe një person tjetër i dyshuar.
Ndryshe, ende nuk dihet motivi i kësaj tragjedie.