Kryeprokurori Lupço Kocevski në intervistën për Alsat theksoi se deri më 17 qershor pritet të mbarojë hetimi i Prokurorisë për tragjedinë e Koçanit në të cilën humbën jetën 62 persona dhe rreth 200 të tjerë u lënduan. Kocevski tha se një ekip prej 13 prokurorësh punojnë në lëndën, ndërsa nuk përjashton mundësinë e zgjerimit të hetimit deri në ditën e fundit, deri kur praktikisht mbaron afati për dorëzimin e aktakuzës.
“Bëhet fjalë për rast me të vërtetë shumë të rëndë dhe kompleks ku kemi shumë viktima, 62. Me atë që ligji lejon që hetimi të zgjatë 90 ditë. Që do të thotë se hetimi ka filluar diku 16-17-18 mars dhe duhet të mbarojë deri diku të njëjtën ditë pas tre muajsh, gjegjësisht 16-17 qershor”, tha Lupço Kocevski, kryeprokuror.
“Gjatë hetimit deri në ditën e fundit mundet të pritet zgjerim me persona të rinj të cilët eventualisht mund të jenë të dyshuar dhe më pas edhe të akuzuar. Domethënë, hetimi tani udhëhiqet. Po ndërmerren me të vërtetë një sërë veprimesh, dëgjohen dëshmitarë, mblidhen prova materiale”, u shpreh Lupço Kocevski, kryeprokuror.
Në lidhje me përgjegjësinë eventuale të mosveprimit të Prokurorisë për keqpërdorimet në diskotekën “Puls”, Kocevski tha se Prokuroria nuk është organ parandalues, por represiv dhe se përgjegjësinë e tillë e ka Ministria e Punëve të Brendshme dhe organet tjera.
Ndaj akuzave për hetim selektiv dhe politik, sidomos në lidhje me paraburgimin e ish ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, Kocevski thekson se askujt nuk i caktohet masë e tillë pa arsye.
“Në asnjë rast, ekipi i prokurorëve nuk mban pa arsye askënd në paraburgim e as ministrin që e përmendët, Bekteshi”, theksoi Lupço Kocevski, kryeprokuror.
“Në rastin konkret ministri jo vetëm, por edhe një pjesë të dyshuarve ndodhen në paraburgim megjithatë ajo nuk nënkupton se patjetër mund të qëndrojë në paraburgim deri në momentin që ka nevojë, gjegjësisht prokurorët publik do të vlerësojnë se ka kushte për caktimin e masës së paraburgimit ata mund të dorëzojnë propozim, ndërsa gjykata vendos për atë propozim nëse do të caktojë ose jo paraburgim, gjegjësisht nëse do ta vazhdojë paraburgimin ose jo”, tha Lupço Kocevski, kryeprokuror.
I pyetur nëse në këmbim të një garancie financiare mund t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me ndonjë masë më të butë, Kocevski deklaroi se ekziston si mundësi me atë që fillimisht ofrohet garancia, ndërsa më pas Prokuroria e shqyrton dhe propozon në Gjykatë, e cila duhet ta japë fjalën përfundimtare nëse e pranon ose jo./ Alsat.mk