Ministri pa resor dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim Shaban Saliu, i cili është një nga të dyshuarit për zjarrin në Koçan, është liruar nga paraburgimi.
Siç raporton Slloboden Peçat, Gjykata e Apelit në Shtip ia hoqi paraburgimin pas ankesës së tij dhe vendosi masë kujdesi.
Vendimi nuk ka mbërritur ende në Prokurori.
Më parë, pas dy muajsh, ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe ish-sekretarja e shtetit Razmena Çekiç-Duroviç u liruan nga burgu dhe kaluan në arrest shtëpiak.
Nga Prokuroria Publike njoftuan sot se përmes deklaratave të dhëna para prokurorit publik, familjarët e viktimave do të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre si palë të dëmtuara dhe të bashkohen me ndjekjen penale.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Një hetim është duke u zhvilluar kundër 68 individëve dhe tre personave juridikë për tragjedinë që tronditi të gjithë vendin. Akuzat pritet të ngrihen nga mesi i qershorit.