Tragjedia në Prilep, binjakët e porsalindur kanë ngrirë deri në vdekje

Binjakët e porsalindur që ndërruan jetë dje në rajonin e Prilepit kanë ngrirë deri në vdekje, kështu thuhet në njoftimin e Spitalit të Përgjithshëm me Aktivitet të Zgjeruar “Borka Taleski” të Prilepit. I porsalinduri mashkull ka ndërruar jetë në shtëpinë e familjes, ndërsa e porsalindura femër edhe përskaj asaj se është intubuar dhe është vendosur në batanije të ngrohtë, gjendja e foshnjës ka vazhduar të përkeqësohet dhe në orën 13:00 është konstatuar vdekja.

Marketing

“Më datë 10.01.2025, me kërkesë të nënës dhe me nënshkrimin e saj, të sapolindurit kanë dalë nga spitali. Më datë 16.01.2025, në orën 10:45, në pediatri është sjellë në gjendje të rëndë një e porsalindur femër si pasojë e ngricave. Sipas informacioneve të disponueshme, i porsalinduri mashkull kishte vdekur më parë në shtëpi nga i njëjti shkak.”, njoftojnë nga Spitali i Përgjithshëm me Aktivitete të Zgjeruara “Borka Taleski” – Prilep.

Prokuroria do të bëjë autopsi për t’u vërtetuar shkaqet kryesore të vdekjes së foshnjave. Nga fshati Sllavej theksojnë se prindërit e foshnjave të ndjera jetojnë në kushte të vështira.

“Varfëri deri në skaj, u kemi ndihmuar diçka, u kemi dhënë rroba për të veshur fëmijët. Ka një vit që ata jetojnë këtu dhe na vjen keq të gjithëve. Nuk janë të punësuar asnjëri.”, – tha një fqinj.

“Unë kur erdha këtu pash polici, pash inspektorë, siç po tregojnë njerëzit, kanë ngrirë, nuk kanë pasur ngrohje në shtëpi. Jetojnë në varfëri.”, – tha një fqinj tjetër.

Pas kontrollit në shtëpinë e familjes, nga Qendra për Punë Sociale – Prilep theksojnë se kushtet për jetesë janë modeste, higjiena nuk është në nivelin e duhur, por familja nuk është në rrezik social.

“Higjiena në shtëpinë nuk është në nivel të duhur. Do të ndiqet, përkatësisht, pas vendimit të mbikëqyrjes së të drejtës prindërore, do të definohen detyrime konkrete të cilat do të duhet t’i përmbushin prindërit.”, – theksoi Gordana Veljanovska nga Qendra për Punë Sociale.

Përndryshe, masat që do t’i marrin autoritetet shtetërore, do të varen edhe nga shkaqet zyrtare për vdekjen e foshnjave.