Një tragjedi e dyfishtë ka ndodhur në familjen Taku pasditen e sotme, ku dy të miturit e familjes humbën jetën në liqenin e Prushit në Tiranë.
Gazetarja Dorjana Bezat bën të ditur për “Top Channel”, se ashtu si çdo pasdite, një grup prej gjashtë fëmijësh kishin shkuar për tu larë në liqen, aty ku sfidonin temperaturat e larta të ditëve të fundit, por fatkeqësisht dy prej fëmijëve nuk dolën nga liqeni.
Pasi fëmijët e tjerë raportuan mungesën e M. T., 14 vjeç dhe K. T., 10 vjeç (vëllezër), u njoftuan menjëherë autoritetet përkatëse dhe vunë në kërkim të trupave. Fillimisht u gjet vetëm njëri nga trupat, por disa minuta më vonë u bë e mundur edhe gjetja e trupit tjetër.
Bëhet me dije se familja kishte dy djem dhe një vajzë dhe ishin në gjendje jo të mirë ekonomike.
Liqeni është më shumë se tre metra i thellë, por nuk ka pasur më parë asnjë ngjarje të kësaj natyre.