Trajkoviq: Vuçiq pritet ta arrestojë Radoiçiqin muajin e ardhshëm

Kryetarja e Lëvizjes Europiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq ka deklaruar sot se arrestimi i Milan Radoiçiq është një nga kushtet për vizitën e presidentit francez Emmanuel Macron në Beograd.

Marketing

Trajkoviq tha në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve, Beta se presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të duhet ta arrestojë Radoiçiqin për muajin e ardhshëm, kur, siç është paralajmëruar, pritet ardhja e presidentit francez.

Ajo kujtoi se në prill, gjatë vizitës së Vuçiqit në Francë, Macron kishte thënë se është e rëndësishme që pjesëmarrësit e sulmit në Banjska të arrestohen.

“Vuçiq është nën një presion të madh nga bashkësia ndërkombëtare për shkak të bashkëpunëtorit të tij të ngushtë Milan Radoiçiq. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar që procesi gjyqësor të zhvillohet në Beograd, që do të thotë se nuk ka presion për ekstradimin e Radoiçiqit dhe anëtarëve të grupit të tij në Prishtinë. Vuçiq ka premtuar se do ta gjykojë Radoçiqin dhe pritet që ai të arrestohet para ardhjes së presidentit francez Emmanuel Macron”, tha Trajkoviq.

Ajo shtoi se arrestimi është një nga kushtet për vizitën e Macron, “e cila nuk diskutohet publikisht”.

Sipas saj, arrestimi i ish-nënkryetarit të Listës Serbe do të jetë “prova më e vështirë” që Vuçiq duhet ta kalojë.

“Për Vuçiqin ishte shumë më e lehtë të hiqte dorë nga një pjesë e territorit të Serbisë, ose tani ta pranonte shfrytëzimin e litiumit, sesa të heqë dorë nga njerëzit që i zbatuan urdhrat e tij, dhe përveç kësaj, ata janë nga një mjedis kriminal. Arrestimi i Radoiçiqit do të jetë një rrezik i madh për Vuçiqin”, tha ajo.

E pyetur se çfarë nënkuptonte me “rrezik të lartë”, Trajkoviq tha se Vuçiq kishte frikë nga informacionet që të huajt do t’ia jepnin gjyqësorit serb.

“Nëse gjyqësori serb fillon të merret me Banjskën dhe Radoiçiqin, kjo do të hapte mundësinë që shërbime të ndryshme të huaja të dërgojnë të dhëna të ndryshme të inteligjencës, si në disa procese të tjera të grupeve të organizuara kriminale. Në atë rast, Vuçiq nuk do të mund ta shpëtonte Radoiçiqin nga përgjegjësia”, tha ajo.

Ajo beson se Vuçiq do të duhet ta bëjë një “marrëveshje” me Radoiçiqin.

E pyetur nëse ka mundësi që Perëndimi ta falë Vuçiqin “për rastin Banjska”, Trajkoviq tha se Europa udhëhiqet nga prioritetet e saj.

“Është e mundur që Vuçiq planifikon t’i mbrojë minierat dhe hapjen e minierave të litiumit me Radoiçiqin, Zvonko Veselinoviqin dhe grupin e tyre kriminal, por përfaqësuesi i ri i SHBA-së për çështjet europiane, Alexander Kasanoff, me siguri do të insistojë në përgjegjësinë dhe ndjekjen penale të çështjes Banjska”, theksoi ajo.

Trajkoviq tha se disa mijëra familje serbe janë shpërngulur nga Kosova në dhjetë muajt e fundit, pas sulmit në Banjskë të Zveçanit.