Një pjesë e qytetarëve të Shkupit sot në mëngjes nuk kanë mundur të shkojnë me kohë në vendet e punës, në shkolla, apo spitale. Për herë të parë Shkupi mbeti pa transport publik, pasi autobusët e NQP-së mbetën të parkuar për shkak të protestës së punonjësve.
Nervozizëm dhe mbingarkesë në rrugë, në stacione ndalonin vetëm autobusët e transportuesve privatë.
“Nuk ka autobus. Momentalisht vijnë vetëm autobusët privat, por edhe ato janë të rrallë. Presim rreth 40 minuta”
“Ato duhet të kenë rregulla të tjera, ti kërkojnë të drejtat e tyre, rrogat e tyre, por jo kështu”
“Prita autobus për rreth një orë, nuk kishte, u ktheva në shtëpi e morra biçikletën” – thanë disa nga qytetarët e revoltuar shkupjan.
Herët në mëngjes, punonjësit u mblodhën rreth kompanisë. Por në vend se të fillojnë me vozitjen, ata vendosën që autobusët ti lënë të parkuar.
Punonjësit kërkojnë pagesën e rrogës së shtatorit, në të kundërtën kërcënuan se autobusët nuk do të qarkullojnë.
“Është hapur kutia e Pandorës, tani do të insistojmë që të gjitha kërkesat të realizohen. Nuk mundet më kështu, nuk po durohet. Unë iu kërkoj falje edhe udhëtarëve, por faji nuk është i yni” – u shpreh Afrim Muça, i punësuar në NQP- Shkup.
“Ky është hapi i vetëm që të marrim rrogat tona dhe ti sigurojmë familjet tona” – tha Kryetari i njërës prej sindikatave në NTP, Miço Stojanovski.
“Drejtor ne prej në mëngjes erdhëm në punë, por rroga nuk pamë se ju siguruat dje. Unë isha i pranishëm në Këshill, ju nuk ishit” – theksoi Kryetari i LSM-së, Darko Dimovski.
Por në vend të parave për rroga, sindikalistët fituan kallëzim penal. Menaxhmenti i NTP-së thotë se rreth njëzet persona i kanë penguar vozitësit të dalin në linjë, të cilët nuk kanë pasur as këshill të grevës, e as grevë të paralajmëruar, me çka kanë penguar punën e ndërmarrjes dhe kanë mbajtur peng qytetarët e Shkupit. Me njoftim doli edhe Qyteti i Shkupit.
“Edhe pse afati ligjor për pagesën e pagave është deri në datën 15 të muajit, një pjesë e menaxhmentit të NTP-së vendosi që duke manipuluar dhe nxitur disa nga punonjësit, ta lënë qytetin pa transport publik me arsyetimin se po vonohet pagesa e rrogave, sot qyteti i Shkupit ka gjetur zgjidhje për pagesën e menjëhershme të mjeteve”, thuhet në letrën e Qytetit të Shkupit.