Transportuesit privatë nuk heqin dorë nga reduktimi, kërkojnë takim me autoritetet

Përfaqësuesit e linjave private të transportit publik në Shkup kërkojnë takim me përfaqësuesit e Qeverisë dhe Qytetit të Shkupit që të tejkalohet kriza me transportin në Shkup.

Përderisa qytetarët e Shkupit presin autobusët që vonojnë çdo ditë, transportuesit privatë presin një përgjigje se a do të ketë rritje të çmimit për kilometër.

Marketing

“Paketi im, pra, 55, 47, 11, Rrahçe, Svillarë, janë pa autobusë. Apeloj që të zgjidhet ky problem sepse qytetarët nuk munden pa transport por edhe NQP-ja nuk mundet pa ne. Pra, apeloj edhe tek Qeveria por edhe te të tjerët që të na ofrojnë zgjidhje apo kompromis pasi me këtë çmim që është tani nuk mund të ekzistojmë. Çmimi që ne vozisim është që nga 2015”, deklaroi Memet Asani – Transportues privat.

Nëse nuk pranohet kërkesa e transportuesve privatë për takim me autoritetet, nuk përjashtojnë mundësinë e protestave.

“Ne shpresojmë që sa më shpejtë të ketë reagime dhe publikisht apelojmë që sa më shpejtë të mbahet ky takim dhe të mund të dalim nga kjo situatë”, tha Jovica Zafirovski – Transportues privat.

Autobusët privatë tash e një muaj qarkullojnë me orare të reduktuar dhe atë vetëm pas orës 17:00. Një gjë e tillë ka ndikuar që shumë të punësuar por edhe nxënës që shfrytëzojnë transportin publik të mos arrijnë në kohë në destinacionet e tyre.

Çmimi për kilometër që deri tani iu është paguar transportuesve privatë është rreth 70 denarë, që sipas tyre, me këtë çmim nuk mund të mbulojnë as shpenzimet. Sipas tyre, çmimi i pagesës për kilometër duhet të jetë rreth 120 denarë.

Marketing