Tre të infektuar nga ‘Nili Perëndimor’, Kosova e gatshme të përballet me këtë virus

Institucionet shëndetësore në Kosovë thonë se janë të gatshme të përballen me “Virusin Nil”.

Marketing

Ministri i Shëndetësisë bën thirrje për kujdes të shtuar publik, dhe thotë se janë duke i marrë të gjitha masat e nevojshme për trajtimin e virusit, bashkë me Klinikën Infektive.

Tre persona janë identifikuar deri tani që janë prekur nga “Virusi Nil” në Kosovë, ndërsa është bërë e ditur se një person ka vdekur. Ky virus përcillet përmes thumbimit të mushkonjës së infektuar, por nuk bartet nga njeriu në njeri.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka deklaruar se janë duke i marrë të gjitha masat me Klinikën Infektive, që të përballen me këtë virus.

Ismaili: Institucionet duhet të marrin seriozisht përgjegjësitë që i kanë

“Ne jemi duke i marrë të gjitha hapat me Klinikën Infektive, mirëpo realisht ky është një kujdes i shtuar publik, kemi pas një kërkesë nga komuna edhe që të fillojnë ta bëjnë kujdes nga mushkonjat, ngase ato janë bartëset kryesore. Pra, nuk është vetëm Ministria e Shëndetësisë, kërkon që gjitha institucionet ta marrin seriozisht në kryerjen e detyrave të veta”, tha Ismaili.

Ismaili bëri thirrje për kujdes të shtuar nga qytetarët dhe komunat, derisa deklaroi se Kosova është e gatshme të përballet me këtë virus.

Ismaili: Jemi të gatshëm të përballemi me virusin Nil

“Ne si Ministri e Shëndetësisë apo si Klinikë Infektive, jemi të gatshëm të përballemi mirëpo kërkon një kujdes të shtuar si nga popullata ashtu edhe nga komunat e tjera”, tha ministri i Shëndetësisë.

Deri më tani 17 persona kanë vdekur si pasojë e virusit të “Nilit perëndimor“ në të gjithë Evropën, e kjo vetëm brenda një jave.

Ndërsa në Kosovë është shënuar një rast i vdekur, që është një person i moshuar me sëmundje kronike të cilit ia ka rënduar gjendjen virusi i “Nilit Perëndimor”.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka deklaruar që situata është nën kontroll.

“IKSHPK është duke hulumtuar burimet e këtij infeksioni dhe situata është nën kontroll. Aktualisht nuk ka vend për panik. Nga qytetarët kërkohet që të kenë kujdes këtyre ditëve ku vërehet numër i shtuar i mushkonjave”, është thënë në një njoftim të IKShP-së.

Gjithashtu, u kërkua nga departamentet komunale që të bëjnë dezinsektimin në komunat përkatëse, sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Edhe pse në rreth 80 përqind të rasteve, pacientët e infektuar nuk tregojnë asnjë simptomë, virusi i“Nilit perëndimor” mund të shkaktojë përfundim fatal te njerëzit.

Virusi transmetohet tek njerëzit kryesisht nëpërmjet pickimit të mushkonjave të cilat janë të infektuara.

Marketing