Nga java e ardhshme do të fillojë procesi i ndarjes së licencave për shitësit nëpër tregjet e gjelbra në Maqedoni.
Për çdo tezgë që posedojnë shitësit do duhet të paguajnë nga 60 euro, ndërsa për çdo të dytën tezgë që do të dëshirojnë ta licencojnë ata do të duhet të paguajnë nga 40 euro shtesë.
Kryetari i Odës së Tregtarëve të Maqedonisë, Ekrem Dolek, në një prononcim për TVM2 shprehet i vendosur se ky proces nuk ka asnjë arsye për prolongim, ndërsa vlerëson se është momenti për t’i dhënë fund problemit shumëvjeçar nëpër tregjet e gjelbra.
“Plot 14 vite punojmë për sjelljen e këtij ligji. Pra, për këto kaq vite tregtarët kanë qenë të lënë nën mëshirën e kohës. Është normale që do të ketë pakënaqësi, por realisht them se jemi të befasuar me interesimin e madh të tregtarëve. Po e ritheksoj se nuk ka ndonjë arsye për shtyrje të implementimit të këtij ligj”,- u shpreh kryetari i Odës së Tregtarëve, Ekrem Dolek.
Por, derisa nga Oda e Tregtarëve njoftojnë gatishmërinë për të nisur procesin e pajisjes me licenca, tregtarët shprehen se nuk janë konsultuar sa duhet sa i përket këtij procesi.
“Në ligj shkruan qartë se përfaqësues i tregjeve është kryetari i Odës së Tregtarëve, ndërsa ne askush deri më sot nuk na ka konsultuar e as nuk kemi marrë pjesë në ndonjë mbledhje. Ligji nuk besoj se është miratuar në dëmin tonë, por ka disa gjëra që është dashur të ulemi dhe t’i bisedojmë”,- theksoi një tregtar.
“Ne nuk na ka konsultuar askush, ne kemi një kryetar të tezgave të cilit mandati i ka kaluar. Ne nuk kemi me kë të bisedojmë. Çfarë përfitojmë ne nga ky ligj, ata që e sjellin ligjin le të tregojnë publikisht, pra çfarë përfitimi na sjell kjo licencë? Do të jem më i fortë, me më shumë para, apo qëllimi është vetëm të na marrin para. Po, pikërisht për këtë arsye njerëzit janë të revoltuar, se do duhet të paguajnë më shumë”,- theksoi një tregtar.
“Nuk jam kundër kësaj, pasi për të gjithë do të jetë kjo normal, do të veproj edhe unë ashtu”,- tha një tregtar.
Në Maqedoni tregje të gjelbra ka në mbi 50 komuna, ndërsa vetëm në Shkup ka 13 tregje të gjelbra, mes të cilave tregu i Bit Pazarit renditet si më i madhi në vend.