Prej vitit të ardhshëm, shitësit që shesin nëpër tezgat e tregjeve të gjelbra, do të duhet në mënyrë plotësuese të pajisen me licencë, nëse duan të punojnë edhe më tej. Krahas kësaj, ata do ta kenë të domosdoshme të paguajnë sigurim pensional dhe shëndetësorë. Licenca do të kushtoj rreth 60 euro dhe do të rinovohet një herë në vit ndërsa për sigurim pensional- shëndetësorë duhet të paguajnë rreth 2 mijë denarë në muaj, aq sa është baza për sigurimin e një bujku individualisht.
Ndryshimet në Ligjin për tregti u miratuan në fillim të vitit. Në fazë të miratimit janë edhe ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për sigurim pensional dhe shëndetësore, ku është vendosur baza për sigurimin e shitësve. Nga Oda e shitësve shprehen se më në fund, pas afër 10 viteve bisedime me autoritetet, do të zgjidhet statusi i kësaj kategorie. Me këtë vendim ligjor, pritet të ulet ekonomia joformale dhe të përmirësohet statusi i shitësve.
Ligji si i tillë për shitësit është i përkryer. Është shumë i thjeshtë. Nuk na jep bamirësi askush. Të mos mendoj dikush se ky grup i njerëzve është i privilegjuar. Jo, jo. Absolutisht, jo. Thjesht kemi luftuar, e kemi gjetur mënyrën që t’i lirojmë njerëzit nga shpenzimet shtesë që nuk do të dëmtojnë shtetin e as shitësit nëpër tezga. Problemi që tani po rregullohet. Paramendoni ju, 15 deri 20 mijë tezga, nga 100 euro tatim personal, kjo është një shumë e mirë e parave – deklaroi Ekrem Dolek- Oda e shitësve.
Por, edhe pse ndryshimet ligjore janë drejt mbarimit, shitësit nuk janë të informuar për risitë që nga viti i ardhshëm do të hyjnë në fuqi. Nuk kanë informacione gjithashtu as për licencat, por shprehen se janë për atë që të kenë sigurim shëndetësor.
Prej vitit të ardhshëm do të ketë licenca. Secili që dëshiron të punoj në treg, duhet të posedojë licencë dhe të paguaj sigurim pensional dhe shëndetësor. A jeni të informuar për këtë?
Po, po. Por, nëse vendosen licencat, askush nuk do të punojë, pa licencë nuk ka punë dhe të paguash edhe licencë, kjo është tepër, atëherë secili do ta lë punën”
Nuk e di, nuk ka kanë thënë këtu në treg, ndoshta tjerëve po”
Kjo nuk është publike, por drejtpërdrejtë në tezgë”
Besoj se duhet të tregojnë, pa marrë parasysh shefi apo udhëheqësi, duhet të tregojë çdo gjë. Këtu askush asgjë nuk tregon”
Çfarë licence, të shkoj të paguaj për licencë, unë duhet të dijë, duhet të mësoj diç për këtë licencë, kush të tregon këtu”
Pyetje: A dëshironi që kjo të rregullohet me ligj?
Le të jetë sipas ligjit, do të paguajmë”
Le të jetë çdo gjë sipas ligjit, por të ketë rregull, ne nuk dimë çfarë do të thotë këtu të ketë rregull”
Do ta paguajmë sigurimin, si mos ta paguajmë, por patjetër dikush të qëndroj pas teje. Më kuptoni çfarë dua të them. Prodhimtarinë patjetër duhet dikush ta marrë”
Sipas ndryshimeve në Ligjin për tregti, Oda e shitësve do t’i lajmërojë dhe ç’lajmërojë shitësit në Agjencinë e punësimit, Fondin e shëndetësisë dhe Fondin e sigurimit pensional në bazë të licencave të dhëna. Deri më tani, shitësit kanë punuar me marrëveshje për marrje me qira të tezgës dhe janë evidentuar si të papunë ndërsa shitësit me kompani të regjistruara, kanë paguar shpenzime për kontabilitet. /Alsat-M/