Tregtarët të irrituar për licencat, paralajmërojnë protestë për të premten

Shitësit e “Tregut të gjelbër” të irrituar paralajmërojnë grevë. Ata kanë dalë si çdo ditë tjetër për të punuar, por sot thonë se janë të nevrikosur dhe të dëshpëruar me kërkesat e ligjit të ri për “Tregjet e gjelbra”. Ilija dhe Branko tashmë mbi 20 vjet punojnë në treg. Thonë se pensionistët janë ata që e mbajnë tregun dhe se deri tani nuk kanë qenë të vizituar nga askush. Ata shprehën të habitur me ligjin e ri, i cili kërkon licencë dhe ndalon që pensionistët të punojnë në treg.

Marketing

“Tani duan që t’i përzënë pensionistët, kurse pensionistët janë ata që e mbajnë tregun. Cili i ri do të zgjohej në orën pesë të mëngjesit. Do të ndërmarrim masa radikale, do të protestojmë, e ata le të mendojnë pastaj. Humb tregu I Shkupit, humb DAP (drejtoria e të ardhurave), humb këshilli i qytetit pasi që ndahen të holla dhe buxheti”, tha shitësi.
“Kjo nuk është prej sot, por vite e vite të tëra askush nuk na viziton, askush nuk ka kërkuar nga ne asgjë. Tash ka ardhur një ligj i cili na mbyti deri në fund. Është turp të thuhet se kemi licenca, në një tezgë të thjeshtë, të vdekur. A ka licencë ai që po e bën ligjin? A paguan ai licencë? A aq të marrë jemi ne që duhet të marrim licenca që të dëshmojmë se jemi inteligjent. Turp është, ku po jetojmë në çfarë shteti, nëse jemi shtet”, u shpreh shitësi.

Licenca për një tezgë kushton 3600 denarë, ndërsa për tezgën e dytë shitësit duhet të paguajnë 2400 denarë. Disa prej tyre thonë se nuk fitojnë shumë të ardhura në treg dhe se aty punojnë ngase shteti nuk i siguron punë adekuate.

“Si e kanë bërë llogarinë që duhet paguhet 60 euro, përderisa ne këtu mezi sigurojmë kushte elementare për ekzistencë. Askush s’ka ardhur këtu të punojë nga qejfi, shumica nga ne tregtarët kemi edhe arsimim adekuat për të punuar në ndonjë vend tjetër. Nuk kanë ardhur të punojnë në treg se ka fitim të madh porse për të siguruar kushte elementare për jetesë”, tha shitësja.

Nga Ministria e ekonomisë thonë se të pakënaqurit duhet të drejtohen në Kuvend, ngase këtë ligj e kanë sjell deputetët.
“Ne jemi gati edhe nesër nëse i marrim propozimet konkrete, të shohim nëse mundemi të bëjmë ndryshime në këtë pjesë. Sa i përket pjesës që është nën kompetenca të Kuvendit të Maqedonisë, duhet të drejtoheni te Kuvendi dhe konkretisht të drejtoheni tek përfaqësuesit që e kanë propozuar këtë ligj. Mesa e di unë ky ligj është sjell nga deputetët në bashkëpunim me tregtarët”, u shpreh Kreshnik Bekteshi – Ministër i Ekonomisë.

Tregtarët paralajmëruan se të premten do të çohen në protestë me kërkesa konkrete. Ata kërkojnë që të shtyhet ose të shfuqizohet ligji.

Licencat që kërkohen do të jepen nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.

E sipas ligjit të ri, pensionistët, ata që marrin ndihmë sociale, ata që janë në falimentim dhe ata që punojnë me honorarë, nuk do të mund të punojnë në treg.

Ndryshe në Maqedoni tregje të gjelbra ka në mbi 50 komuna dhe rreth 20,000 tezga. Vetëm Shkupi ka 13 tregje të gjelbra dhe një treg të bagëtive.