Tregu i punës është gjithnjë në kërkim të punonjësve. Interesi më i madh për punësim është në sektorin e ndërtimit.
“Kërkesa më e madhe për punësim vazhdon në sektorin e ndërtimit dhe mund të them që ky është sektori që ende po lulëzon. Sektorët e tjerë janë në një qëndrueshmëri, nuk kemi rënie të punësimit në sektor të caktuar, kemi të njëjtën situatë që ka qenë më parë dhe rritja dhe lulëzimi është vetëm në ndërtim”, tha Erald Pashaj – ekspert punësimi.
Dalja në pension e zanatçinjve dhe pritshmëritë në rritje të të rinjve për kushtet e punës, e ka përballur tregun me një krizë të mungesës së punonjësve.
Për t’i orientuar të rinjtë drejt arsimit profesional si një mundësi që do t’i çojë ata drejtë punësimit të sigurt, Ministria e Arsimit ka vendosur që deri në muajin dhjetor, nxënësit e klasave të 10-ta, që duan të zgjedhin një zanat, mund të transferohen nga gjimnazi në shkollat profesionale.
“Vërtetë arsimit profesional i është dhënë një fokus i madh por nuk e ka marrë këtë përgjigje nga popullata. Por këto iniciativa janë të mirë për ata të rinjtë të cilët nuk duan të ndjekin gjimnazin e përgjithshëm apo arsimin e lartë por duan të marrin një profesion”, u shpreh eksperti.
Nga ana tjetër eksperti është i mendimit që tregut të punës sot i mungojnë investitorë të huaj strategjik të cilët jo vetëm investojnë vlerat monetare por investojnë dhe në njohuri për punonjësit e tyre.