Trend i ri i rrezikshëm në Tik-Tok! Sfidë te të rinjtë se kush mund të konsumojë më shumë paracetamol

Trend i ri në tik-tok, që i sfidon të rinjtë se kush mund të konsumojë sasi më të mëdha të paracetamolit! Edhe pse tani për tani nuk ka informacione nëse ky trend është i pranishëm te fëmijët në Maqedoni, ekspertët paralajmërojnë – kjo praktikë është shumë e rrezikshme, ndërsa konsumimi i tepërt mund të sjellë pasoja të rënda shëndetësore, madje dhe vdekje.

Marketing

Ministri për transformim digjital, Stefan Andonovski, thotë se shkollat tashmë kanë marrë udhëzime për mbrojtjen e nxënësve, ndërsa prindërve u rekomandojnë që të shfrytëzojnë aplikacione me të cilat do të vendosin kufizime në pajisjet mobile të fëmijëve të tyre.
Megjithatë tani për tani shteti nuk mendon për ndalimin e aplikacionit tik-tok.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, thotë se deri më tani nuk kanë vërejtur rast me helmim nga paracetamoli.

Këto ditë pikërisht për këtë sfidë me paralajmërime doli ish drejtori i Toksikologjisë, doktor Niko Beqarovski i cili në profilin e tij në facebook theksoi se kjo mund të ketë pasoja fatale te fëmijët.

Sfida filloi nga Zvicra, ndërsa viktimat e para nga ky trend janë evidentuar në Ohajo. Nga sfidat e tik-tok-ut vazhdimisht e më shumë të rinj përfundojnë të lënduar te ne. Rasti i fundit ndodhi para rreth një muaji kur një djalë 17 vjeç duke dashur që të incizohet ndërroi jetë nga goditja elektrike në vagon. Shqetësuese janë të dhënat për të lënduar me frakturë nga sfida e ashtuquajtur Superman, ku disa fëmijë hedhin në ajër një fëmijë tjetër për ta incizuar se si fluturon si Superman.