Trëndafili merr emrin e Princeshës së Uellsit, ja mesazhi që mbart

Një trëndafil është emëruar sipas Katerinës, Princeshës së Uellsit, për të nxjerrë në pah fuqinë shëruese të natyrës.

Marketing

Shoqata Mbretërore Hortikulturore (RHS) tha se e quajti lulen ‘Trëndafili i Katerinës’ për të rritur ndërgjegjësimin për rolin që luan kalimi i kohës jashtë në mbështetjen e mirëqenies mendore, fizike dhe shpirtërore të njerëzve.

Trëndafili floribunda ka lule rozë korali me aromë llokumi turk dhe mangoje, sipas BBC.

Të ardhurat nga çdo shitje do të shkojnë për bamirësinë Royal Marsden Cancer Charity. Princesha u trajtua në spital, në Londrën perëndimore, për kancer vitin e kaluar.

Princesha e Uellsit bëri një vizitë surprizë në spital në janar, ku falënderoi stafin dhe i siguroi pacientët me kancer se kishte “dritë në fund të tunelit”.

Ajo e zbuloi për herë të parë diagnozën e saj në mars të vitit të kaluar dhe iu nënshtrua një kure kimioterapie parandaluese, duke njoftuar në shtator se ajo kishte përfunduar.

Sipas RHS, Trëndafili i Katerinës mund të kenë deri në 15 lule, secila lule me gjatësi midis 8 dhe 12 cm, ndërsa bima që e mbështet atë mund të rritet deri në rreth 1.2 m të lartë dhe 90 cm të gjerë.

Clare Matterson, drejtoreshë e përgjithshme e RHS, tha se lulja do të “rriste ndërgjegjësimin se si natyra dhe kopshtaria mund të ndihmojnë në shërim”.

“E dimë sa i rëndësishëm është ky mesazh, pasi çdo ditë shohim se si qasja në natyrë dhe të qenit jashtë është jetike për shëndetin dhe lumturinë tonë”, shtoi ajo.

Këtë vjeshtë do të jenë në dispozicion 15,000 trëndafila të Katerinës, ndërsa vitin tjetër do të ketë në dispozicion edhe më shumë trëndafila.