sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, z. Valmir Aziri në kuadër të kampanjës “Bashkë për Maqedoninë Evropiane”, organizoi tribunë me titull “Maqedonia Evropiane – Fuqia e Diversitetit Kulturor”.
Në tribunë pjesëmarrës ishin drejtues të institucioneve, shoqata dhe artistë të fushave të ndryshme si znj.Dita Starova Qerimi– drejtoreshë e Galerisë Kombëtare, drejtori i Qendrës së Trashëgimisë Kulturore, z.Mehmet Selmani, drejtori i Teatrit Kombëtar Shqiptarë z.Adem Karaga, drejtori i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shqiptare në Republikën e Maqedonisë, profesori i nderuar z.Fatos Lumani si dhe kryetari i komunës së Çairit, z.Visar Ganiu.
Në tribunë u diskutua për përparësitë dhe benefitet që i ofrohen fushës së kulturës me rast të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian.
Në vijim është fjalimi i sekretarit Aziri:
Të nderuar të pranishëm,
Sot jemi këtu për të dhënë kontributin tonë në rrugëtimin e Republikës së Maqedonisë drejt Eurointegrimeve si përfaqësues të institucioneve, si përfaqësues të sektorit civil dhe si artistë. Këtu sot, para jush, jam unë si sekretar i Ministrisë së Kulturës dhe janë udhëheqësit e disa Institucioneve kulturore në Republikën e Maqedonisë.
E përshëndes kryetarin e komunës së Çairit z.Visar Ganiu, kolegen zonjën e nderuar Dita Starova Qerimi – drejtoreshë e Galerisë Kombëtare, përshëndes drejtorin e Qendrës Nacionale për Konzervim, z.Mehmet Selmani, këtu kemi edhe drejtorin e Teatrit Kombëtar Shqiptarë z.Adem Karaga si dhe drejtorin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shqiptare në Republikën e Maqedonisë, profesorin e nderuar z.Fatos Lumani .
Shfrytëzoj rastin të përshëndes edhe drejtorin e Galerisë së arteve të Tetovës z.Afrim Ziberi, drejtoret e Pallateve të Kulturës z.Haki Fazliu dhe Hod Miftari, dekanin e fakulteteve të arteve z.Miftar Mehmeti dhe këshilltarin për eurointegrime në Ministrinë e Kulturës, z. Bexhehudin Shehapi shefin e sektorit per euro integrime ne ministrine e kultures Avzi Demiri si dhe z.Fatmir Saiti, udhëheqës i disa departamenteve në Ministrinë e ekonomisë dhe në komunën e Tetovës, departamente këto të lidhura ngusht me investime nga buxheti i Bashkimit Evropian.
Themeluesi i BE-së, Zhan Mone ka thënë: “Nëse do ta kisha nisur nga e para do ta nisja nga Kultura”. Kultura është vulë e identitetit tonë, me mënyrën si jetojmë, si shprehemi, si funksionojmë dhe komunikojmë.
Republika e Maqedonisë, është vendi ku bashkëjetojnë kulturat e shumë popujve , diversiteti ynë kulturorë është i perafert me atë të Bashkimit Evropian. Strategjia e Ministrisë së Kulturës përqëndrohet në krijimin e një mjedisi, ku shanci i barabartë do të jetë standard dhe jo aksident.
Strategjia e Minisrisë së Kulturës parasheh një bashkëpunim të theksuar intrakulturorë në mes kulturave që veprojnë në Republikën e Maqedonisë, shteti ynë ka çfarë t’i ofrojë Evropës në këtë pikëpamje dhe ne kemi çka të mësojmë nga Bashkimi Evropian në përgatitjen e normativave ligjore dhe krijimin e kushteve të barabarta për një zhvillim të mirëfilltë të diversitetit kulturor në Republikën e Maqedonisë.
Kur flasim për kulturën Evropiane, ne duhet të imagjinojmë një frymë të re kulturore e cila njeh dhe fuqizon ndikimin ndërsektorial të kulturës në shumë fusha të ndryshme. Është e domosdoshme që politikëbërja të integrojë qëllimin e diversitetit kulturorë dhe të mundësojë që kulturat e ndryshme të bashkëjetojnë dhe të punojnë sëbashku.
Politikat e kulturës tash më, jane më shumë se kurr janë një mjet për të adresuar sfidat globale, për të lidhur sipërmarrësit dhe shoqërinë civile, për të fituar njohuri ose për të krijuar dialog dhe bashkëpunim ndërkulturorë, në fund të fundit, duke kontribuar për një botë më të qetë dhe të bashkuar.
Sipas politikës së sups diaritetit, megjithëse BE-ja nuk ndërhyn në zhvillim e politikave kulturore kombëtare, ajo shpreh kujdes të veçantë për sektorin kulturorë dhe audiovizuel duke mbështetur fuqishëm diversitetin kulturorë dhe gjuhësorë, trashëgiminë kulturore dhe bashkëpunim kulturorë evropian, në mënyrë që të mundësojë komunikimin e drejtëpërdrejtë të këtyre sektorëve me qytetarët Evropian.
Roli i Komisionit Evropian është që të angazhohet për nxitjen e diversitetit kulturorë, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, lehtësimin e pengesave për lëvizjen e profesionistëve kulturorë dhe mbështetjen e kontributit të industrive kulturore dhe krijuese.
Agjenda kulturore Evropiane e merr parasysh evoluimin e sektorit kulturorë, përqëndrohet në kontributin pozitivë që kultura konribuon në shoqëri, ekonomi dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Evropës dhe vendos metoda të zgjeruara të punës me shtetet anëtare, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.
Kultura është në thelbin e trashëgimisë dhe historisë së pasur të Evropës dhe si e tillë ka një rol të rëndësishëm në rritjen e atraktivitetit të vendeve dhe forcimin e identitetit unik të një vendi të cakuar.
Është e rëndësishme që Maqedonia ti bashkangjitet dhe të konribuojë në vizionin kulturorë të BE-së për një politike kulturore të shekullit 21 në të gjitha dimenzionet e aktiviteteve të Bashkimit Evropian sidomos në marrëdhëniet e jashtme, zhvillimin, fqinjësinë dhe politikat e inovacionit.
Duke marr parasysh që agjenda kulturore e BE-së fokusohet në gjeneratat e reja të një shteti, duke mobilizuar një brez të tërë ku më kultura është digjitale dhe globale, ku të rinjtë kanë mundësi të krijojnë, të vizitojnë por edhe të shpalosin identitetin e tyre si shoqëri duke pasuruar vlerat e një Evrope të përbashkët.
Sektori i kulturës gjithnjë e më shumë është një burim i krijimit të vendeve të punës, sektori i kulturës është gjithashtu një kanal i shkëlqyer për nxitjen e përfshirjes sociale dhe mbështetjen e diversitetit kulturorë.
Kur flasim për kulturën evropiane ne duhet të imagjinojmë një frymë të re kulturore e cila njeh dhe fuqizon ndikimin e bashkëpunimit intrakulturorë në shumë fusha të ndryshme të politikave, mbi të gjitha dua të potencojë rëndësinë që ka kultura në nivel lokal ku fuqizon qytetet dhe rajonet duke shfrytëzuar investimet kulturore si pjesë e rigjenerimit ekonomik dhe social urban.
Fondet Evropiane që janë dhe do të vazhdojnë të jenë të hapura për sektorin e kulturës, janë në dispozicion për të gjitha organizatat në fushën e sektoreve kulturore, audiovizuale dhe kreative, institucionet arsimore, komunat, organizatat jo qeveritare në mënyrë që të shkëmbejnë përvoja profesionale me homologët e tyre Evropian dhe partnerët për të promovuar dhe mbrojtuar trashëgiminë kulturore, për të promovuar veprat kulturore dhe artisike dhe produktive në zonën dhe tregun evropian, për t’u angazhuar në trendet e reja inovative të BE-së, për të ndërtuar dhe promovuar kulturen Evropiane si Fuqia e Diversitetit.
Bashkimi Evropian vetëm mes viteve 2007 dhe 2013 investoi më shumë se 6 miljard euro në industritë kulturore dhe krijuese në prioritete të ndara, 3 miliard euro për të ruajtur dhe mbrojtur trashëgiminë kulturore evropiane, 2.2 miliard euro për zhvillimin e infrastrukturës kulturore dhe afërsisht 1 miliard euro për të mbështetur shërbimet kulturore.
Plani kryesor i BE-së për kulturë përcakton katër përparësi kryesore për bashkëpunimin evropian në hartimin e politikave kulturore ata janë:
kultura gjithëpërfshirëse, trashëgimia kulturore, sektorët kulturorë dhe krijues siç janë: ekonomia krijuese dhe inovacioni dhe promovimi i diversitetit kulturore.
Ministria e Kulturës dhe organizatat kulturore nga vendi ynë kanë përvojë pozitive në shfrytëzimin e fondeve nga programa e Unionit, nëpërmjet programës Evropa kreative, vetëm për vitin 2007 – 2017 janë mbështetur mbi 60 projekte, projekte këta të cilat kanë kontribuar në ngritjen e kapaciteve, ideve inovative dhe në krijimin e partneriteteve profesionale me organizatat evropiane.
Nëpërmjet implementimit të proekteve Evropiane ne mësojmë se si të komunikojmë dhe të jemi të barabartë me kolegët tanë Evropian.
Projektet Evropiane janë rruga jonë drejt Bashkimit Evropian, ndërsa shteti ynë shndërohet në krijuesin aktiv të politikave në hapësirën kulturore të Bashkimit Evropian.
Të nderuar, sot më shumë se kurr kemi nevojë të flasim, të debatojmë dhe të japim kontributin tonë në rrugëtimin e vendit tonë drejt integrimeve. Ne si artistë nuk guxojmë të jemi të veçuar në këtë rrugëtim dhe ne duhet fuqishëm të përkrahim këtë proces duke marr parasysh që kultura dhe diversiteti kulturor janë thelbi i projektit të madh Evropian.