Tribunë për bashkëjetesën, një kontribut për fushatën e referendumit

Pas organizimit të suksesshëm të ngjarjeve rreth manifestimit të përbashkët të festave fetare në mjedise etnikisht të përzier, në kuadër të projektit “CIVIKA Mobilitas” të mbështetur nga Ambasada zviceriane, Organizata Humanitare “El Hilal”, mbrëmë organizoi një tribunë publike me titull: “Multikulturalizmi dhe marrëdhëniet ndëretnike në bashkëjetesën urbane”.

Marketing

Në prezencë të aktivistëve, profesorëve universitarë, studentëve dhe intelektualëve të tjerë, u emitua edhe video-film, i cili në kuadër të projektit u incizua nga ekipi menaxhues i “El Hilal”-it.

Pas emitimit të video-filmit, para të pranishmëve, nën kryesimin e Behixhudin Shehapit, kryetar i organizatës, fjalim mbajtën profesorët universitarë Besa Arifi, Aleksandra Sërbinovska dhe Nazmi Maliqi, ekspert të këtij lëmi, të cilët në mënyrë mjaft koncize dhe me një qasje mjaft të drejtë dhe objektive elaboruan aspektet sociale, ekonomike, rëndësinë e legjislaturës, ndikimet fetare, politike dhe të mediave për këtë temë shumë jetike.

Edhe diskutantët në pjesën e debateve dhanë kontribut të çmueshëm rreth trajtimit të kësaj çështjeje në shoqërinë tonë. Në fund të tribunës u lexuan konkluzionet që njëzëri u miratuan nga të pranishmit me shpresën se edhe puna e kësaj tribune dhe konkluzionet do të jenë një kontribut i “El Hilal”-it në frymën e referendumit për integrimin e Maqedonisë në organizatat euroatlantike.