Trimin vraje po hakun mos ia ha: Bujar Osmani

Bujar Osmani (44) në politikë po qëndron tash e 15 vjet dhe sa vjen e po shquhet për një konsekuencë që ia kanë lakmi edhe kundërshtarët e tij politik. I qetë, por jo edhe i heshtur, ai po demonstron vlera që i bëjnë copë paragjykimet e mosbesimet se në këtë shoqërinë tonë shumëkombëshe e shumëkonfesionale edhe postet janë të rezervuara. I çliruar nga shumë ngarkesa tipike ballkanike, Bujari po shkëlqen pikërisht në këtë kohë kur vendi bën përçapje serioze që t’i bashkohet familjes evropiane e cila prej dekadash njeh vetëm vlerat. Provë për këtë është samiti i sapopërfunduar i OSBE-së…

Marketing

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

I diplomuar para 20 vjetësh në Fakultetin e Mjeksisë, i specializuar, nga kjo fushë në Londër dhe i doktoruar në Shkup, Osmani është imponuar si doktor i zoti, por edhe si politikan të cilit nuk i bën syri tërr edhe kur është përballë problemeve e sfidave nga më seriozet: Vitet e kaluara në Ministrinë e Shëndetësisë, në Sekretariatin për Çështje Evropiane dhe së fundmi në Ministrinë e Jashtme, mbajnë edhe vulën e tij. Përtej debateve që të shpeshtën janë të mbarsura nga intolerancat partiake apo edhe ndëretnike, Bujar Osmani po tregohet si një kirurg i suksesshëm në rrafshin politik që nuk është se nuk vuan edhe sot e kësaj dite nga patologjitë e shumta që shoqërojnë vendet në tranzicion. Dhe, janë vlerësimet kryesisht nga jashtë, nga Brukseli e Uashingtoni, por edhe nga fqinjësia ato që e veçojnë kryediplomatin Bujar Osmani si një politikan i cili din të ecë nëpër tehun e shpatës dhe të dalë pa asnjë therrë në këmbë! Përkundrazi, ata që e njohin të thonë se ishte pikërisht Osmani ai që amortizoi tensionet në linjën Shkup-Athinë (2018) mes kryeministrave të kohës, Zoran Zaev e Aleksis Tsipras, për të firmosur Marrëveshjen historike të Prespës që zhbllokoi procesin e integrimit euro-atlantik të Maqedonisë dhe që me kapacitetin e Zëvendëskryeministrit për integrime ia doli të shënojë përparim serioz në përafrimin e vendit drejt BE-së. Edhe në postin e shefit të diplomacisë, ai po artikulon më së miri përcaktimet strategjike të koalicionit qeverisës për t’u bërë pjesë e shoqërive të përparuara. Një mik imi nga Londra që është studiues i çëlshtjeve ballkanike, pranverën e këtij viti, më tha se pa fije dyshimi “ministri i juaj i Jashtëm nuk e ka shokun në Evropën Juglindore”, duke më përmenduar si me shpërfillje emrat e homologëve të tij nga pesë shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor…

Dhe, qershia mbi tortë, pa dyshim ishte Ministeriali i OSBE-së i organizuar javën që lamë pas në Shkup: Nga Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken e deri tek kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri i Jashtëm i Maltës, nuk u la pa u veçuar merita e ministrit Osmani për të mbledhur bashkë edhe Perëndimin, edhe Lindjen, por edhe pse i vuri pikat mbi I-në kur është fjala për rolin e Moskës zyrtare jo vetëm në Ukrainë, por edhe në Ballkanin Perëndimor. Vetë ai hodhi poshtë pohimet e Sergej Lavrovit se për gjendjen e krijuar fajet i ka – Perëndimi: “Garant i stabilitetit në Ballkanin Perëndimor janë SHBA dhe Bashkimi Evropian. Është Rusia ajo që po shkakton probleme në vendet e rajonit. Federata Ruse është ajo që me hapa të dukshëm, përmes lojtarëve të saj në rajon, destabilizon vazhdimisht rajonin. U përpoq të destabilizonte Malin e Zi duke tentuar një grusht shteti në momentin e anëtarësimit në NATO, u përpoq të pengonte referendumin tonë më 2018-tën për anëtarësimin në NATO, minon proceset në BeH, në Serbi,ndërsa përmes Serbisë edhe në Kosovë“.

TRIMIN VRAJE PO HAKUN MOS IA HA: BUJAR OSMANI