“Në Budapest patëm një takim jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe produktiv me kolegun tim, ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ishtvan Nagi. Diskutuam për sfidat me të cilat përballemi si ministra në sektorin e bujqësisë, veçanërisht për ndryshimet klimatike”, theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, në emisionin “Tema e Ditës” në televizionin Sitel.
“Ajo që është e rëndësishme dhe që dua ta theksoj është se u dakorduam për një bashkëpunim më të ngushtë mes dy ministrive, do ta rinovojmë Memorandumin për bashkëpunim. Në Memorandum do të përcaktojmë prioritetet e bashkëpunimit mes dy ministrive”, sqaroi ministri.
Ministri Tripunovski shtoi se bashkëpunimi me Hungarinë do të zgjerohet edhe në fushën e shkencës.
“Të gjitha këto do t’i finalizojmë gjatë vizitës së parë zyrtare që do ta realizojë kolegu im në muajin maj”, theksoi ministri.
Ai theksoi se përmes këtij bashkëpunimi do të mund të promovohen dhe të plasohen produktet maqedonase në tregun hungarez.
“Jemi në rrugë të mirë për të treguar se përmes një bashkëpunimi të ngushtë dhe komunikimi të shkëlqyer mund të arrihen rezultate të larta në sektorin e bujqësisë”, përfundoi ministri Tripunovski.