Tripunovski: Po dalim në ndihmë të bujqve, do ta bëjmë më shpejt vlerësimin që të rikuperohen sipërfaqet e prekura nga stuhia

“Pas stuhisë së fundit që ndodhi këtu, jemi në komunikim me kryetarin e komunës dhe administratën lokale. Sot jam këtu për të bërë një inspektim dhe për të vlerësuar personalisht gjendjen pas stuhisë që përfshiu këtë pjesë të komunës”, theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski nga komuna e Vasilevës.

Marketing

“Kryetari i komunës më informoi se tashmë janë formuar Komisione për vlerësimin e dëmeve. Këtu duhet të theksoj se ministria me ekspertë nga Njësia Rajonale merr pjesë në këto Komisione me qëllim që vlerësimi të bëhet në mënyrë profesionale”, sqaroi ministri.

Ai theksoi se është në zhvillim Thirrja publike për paraqitjen e dëmeve dhe kërkesat e para tashmë kanë arritur.

“Në ditët në vijim, Komisionet do të dalin në terren, nuk do të presin afatin përfundimtar më 20 maj, kur përfundon thirrja për paraqitjen e dëmeve, me qëllim që të bëjmë një vlerësim në kohë të dëmeve të shkaktuara, pasi bëhet fjalë për kultura të hershme perimore. Duhet të dalim në ndihmë të bujqve, ta bëjmë vlerësimin sa më shpejt, që të rikuperohen sipërfaqet e prekura”, theksoi ministri.

Ministri Tripunovski shtoi se pas përfundimit të vlerësimit të përgjithshëm dhe përgatitjes së elaboratit përmbledhës, dokumenti do të dorëzohet në komisionin dytësor të Qeverisë, ndërsa më pas Qeveria do të vendosë për lartësinë e kompensimit.