Tronditi botën islame me karikaturën e profetit Muhamed, vdes në aksident artisti

Artisti suedez Lars Vilks, i cili skicoi një karikaturë të Profetit Muhamed, ku kokën e tij e kishte lidhur me trupin e një qeni, ka ndërruar jetë në një aksident rrugor.

Marketing

Sipas BBC ngjarja ka ndodhur teksa Vilks po udhëtonte me një makinë policie civile e cila u përplas me një kamion pranë qytetit Markaryd në Suedinë jugore.

Edhe dy policë mbetën të vdekur ndërsa u plagos shoferi i kamionit.

Artisti 75-vjeçar kishte jetuar nën mbrojtjen e policisë pasi ishte kërcënuar me vdekje për karikaturën e botuar në vitin 2007. Karikatura ofendoi shumë myslimanë që e konsiderojnë paraqitjen vizuale të Profetit si blasfemi. Kjo ngjarje erdhi një vit pasi një gazetë daneze publikoi karikaturat e Profetit.

Një deklaratë nga policia tha se ishte ende e paqartë se si ndodhi përplasja.

“Ky është duke u hetuar si çdo aksident tjetër rrugor. Për shkak se dy policë ishin të përfshirë, një hetim është caktuar në një seksion special të zyrës së prokurorit,” tha një zëdhënës i policisë për agjencinë e lajmeve AFP, duke shtuar se nuk kishte dyshime për ndonjë atentat të organizuar.

Makina e policisë, ku po udhëtonte Vilks ishte duke udhëtuar me shpejtësi të madhe, sipas raporteve të mediave lokale.

Një zjarr i madh shpërtheu pas aksidentit dhe një numër automjetesh të urgjencës shkuan në vendngjarje, ndërsa Vilks nuk arriti të mbijetonte.

Marketing