Trump akuzohet për komplot për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve

Sfidat ligjore për Donald Trumpin po shtohen. Një ditë më parë prokurori i posaçëm ngriti padi kundër ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, duke e akuzuar atë për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, që rezultuan në protestën e dhunshme të përkrahësve të tij ndaj Kapitolit.

Marketing

Zhvillimet vijnë ndërsa zoti Trump synon të sigurojë emërimin e partisë republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Akt-padia kundër ish-Presidentit amerikan Donald Trump përfshin akuza për komplot kundër Shteteve të Bashkuara dhe ndërhyrje ndaj dëshmitarëve, një rast i pashembullt ku një ish president akuzohet se u përpoq të minojë bazat e demokracisë, për të qëndruar në pushtet.

Ai akuzohet se së bashku me aleatët e tij u përpoq në mënyrë të paligjshme të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, megjithëse kishte humbur ndaj rivalit demokrat Joe Biden.

Përpjekjet e tij, që në fund dështuan, kulmuan me protestën e dhunshme të përkrahësve të tij në Kapitol, një prej kërcënimeve më serioze ndaj demokracisë amerikane në historinë moderne.

“Protesta u nxit nga gënjeshtrat e të pandehurit, që synonte të pengonte funksionin themelor të qeverisë amerikane, procesin e mbledhjes, numërimit dhe certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve presidenciale”, tha prokurori Smith, ndërsa shtoi se zyra e tij do të kërkojë gjykim të përshpejtuar, në mënyrë që dëshmitë e mbledhura të vlerësohen nga gjykata dhe qytetarët.

Në javët që pasuan zgjedhjet e vitit 2020, e deri tek dhuna ndaj Kapitolit më 6 janar të vitit 2021, zoti Trump u bëri thirrje zyrtarëve zgjedhorë të ndryshonin rezultatin e votimit, i bëri presion ish Nënpresidentit Mike Pence të ndërpriste procesin e certifikimit dhe pretendoi pa të drejtë, se votat ishin vjedhur, një pretendim, që në mënyrë të përsëritur u hodh poshtë nga gjykatës të ndryshëm.

Prokurori i Përgjithshëm amerikan, Merrick Garland mbrojti Departamentin e Drejtësisë, pak pas ngritjes së padisë kundër zotit Trump.

“Menjëherë pas sumit të 6 janarit mbi demokracinë tonë, prokurorët e Departamentit të Drejtësisë, u angazhuan në atë që është bërë hetimi më i madh në historinë tonë. Zoti Smith dhe ekipi i tij kanë ndjekur ligjin dhe faktet, kudo që ato i çuan”, u tha Garland gazetarëve në Filadelfia

Ndihmësit e zotit Trump thanë përmes një deklarate se “Presidenti Trump ka ndjekur gjithmonë ligjin dhe Kushtetutën, duke ndjekur këshillat e shumë avokatëve, që janë shumë të aftë”.

Në aktpadi, përmenden edhe 6 persona të tjerë, por pa emër. Shtypi amerikan ka identifikuar 5 prej tyre, në bazë të informacioneve që përmbante akt-padia.

Ata mendohet të jenë, avokatët Rudy Giuliani, John Eastman, Sidney Powell, Kenneth Chesebro dhe zyrtari i Departamentit të Drejtësisë Jeffrey Clark, personi i gjashtë, një këshilltar politik, ende nuk është identifikuar.

Ish presidenti pritet që të enjten të dalë para gjykatëses Tanya Chutkan, e emëruar në këtë pozitë nga Presidenti Barack Obama. Ajo njihet për shqiptimin e dënimeve të ashpra ndaj atyre që sulmuan Kapitolin amerikan, që në shumë raste ishin edhe më të larta sesa rekomandimet e prokurorëve të Departamentit të Drejtësisë.

Kjo është akt-padia e tretë kriminale dhe e dyta në dy muajt e fundit ndaj ish-presidentit, i cili ka vënë sërish kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Para disa javësh, Prokurori i Posaçëm Smith e akuzoi atë se ka mbajtur në mënyrë të paligjshme, dhjetëra dokumente sekrete në pronën e tij në Mar-a-Lago në Florida, pasi ishte larguar nga detyra dhe ia kishte fshehur ato qeverisë. Sipas ligjit amerikan, dokumentet duhet t’i ishin dorëzuar Arkivit Kombëtar.

Gjyqi për këtë rast fillon në maj të vitit të ardhshëm.

Nëse zoti Trump shpallet fajtor për aktpadinë e fundit, apo për ndonjë prej çështjeve të tjera të ngritura ndaj tij, kjo nuk e ndalon atë për të vazhduar garën, apo për t’u bërë president, nëse i fiton zgjedhjet./ VOA