Trump ashpërson tonin dhe vendimet, rrit tarifat ndaj ndaj këtyre shteteve

Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump, është zotuar të vendosë tarifa të shtuara për mallrat e importuara nga Meksika, Kanadaja dhe Kina duke filluar nga dita e parë e administratës së tij.

Marketing

“Ky veprim”, – argumentoi ai, “synon të trajtojë problemin e imigrimit të paligjshëm dhe trafikut të drogës në Shtetet e Bashkuara”.

“Më 20 janar, si një nga urdhrat e mia të para Ekzekutive, do të nënshkruaj të gjitha dokumentet e nevojshme për të vendosur tarifa 25% për të gjitha produktet e importuara në SHBA nga Meksika dhe Kanadaja. Këto tarifa do të qëndrojnë deri në ndalimin e trafikut të drogës, veçanërisht fentanilit dhe imigracionit të paligjshëm që po pushton vendin tonë”, shkroi Trump në platformën “Truth Social”.

Më tej Presidenti në ardhje theksoi se vendet fqinje të SHBA-së mund ta “zgjidhin lehtësisht këtë problem të gjatë” nëse ndërmarrin hapat e nevojshëm.

Vendimi i njoftuar nga Trump vjen në një kohë kur qeveria meksikane është bërë “kokë turku” në retorikën e ashpër anti-emigrante të tij.

Në të njëjtën kohë, Trump tha se Kina do të përballet me një tarifë shtesë prej 10% për të gjitha produktet e saj, nëse nuk ndalon rrjedhën e drogave të paligjshme drejt SHBA.

“Kam pasur shumë biseda me Kinën rreth sasive të mëdha të drogave që importohen në Shtetet e Bashkuara – por pa dobi”, vuri në dukje ai.

Presidenti i zgjedhur pretendoi se zyrtarët kinezë kishin premtuar se do të ekzekutonin tregtarët e drogës të përfshirë në tregti, por “nuk e mbajtën premtimin“.

Kanadaja u përgjigj e para ndaj vendimit të Trump duke nënvizuar në deklaratën e saj prioritetin që i jep sigurisë kufitare.

“Siguria e kufirit dhe integriteti i vijës sonë të përbashkët kufitare është një çështje me prioritet të lartë për Kanadanë“, thanë zv/presidentja kanadeze Chrystia Freeland dhe ministri i Sigurisë Publike Dominique Le Blanc.

Zyrtarët kanadezë shtuan se do të vazhdojnë diskutimet me administratën e re amerikane për të zgjidhur këto çështje.

Sakaq, Kina e ka paralajmëruar Uashingtonin se askush nuk do të fitojë një luftë tregtare. Media shtetërore kineze e quajti kërcënimin “të papërgjegjshëm”, ndërsa ministria e jashtme e Pekinit tha se Kina kishte ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të ndaluar rrjedhën e paligjshme të drogës, duke përfshirë fentanilin në SHBA.

“Kina është një nga vendet me politikat më të rrepta dhe më të plota të drogës në botë. Fentanili është kryesisht një problem për Shtetet e Bashkuara“, tha një zëdhënës i ministrisë së jashtme.

Por sipas tij Pekini e priste këtë. Kina ka pasur kohë të përgatitet për një presidencë të dytë të Trump dhe ka nxjerrë mësime nga mandati i tij i parë në Shtëpinë e Bardhë.