Trump autorizon krijimin e Forcës Hapësinore Amerikane

Presidenti Donald Trump ka nënshkruar dy projektligje shpenzimesh që do të financojnë qeverinë federale deri në shtator, duke shmangur një mbyllje të qeverisë që do të hynte në fuqi të premten në mesnatë.Projektligjet e shpenzimeve arrijnë në 1.4 trilion dollarë dhe përfshijnë një ngritje pagash prej 3.1 përqind për punonjësit civilë të qeverisë.

Marketing

Me nënshkrimin e projektligjit për politikat e mbrojtjes prej 738 miliardë dollarësh, Presidenti Trump autorizoi krijimin e një force hapësinore, një rritje të pagave prej 3,1 përqind për anëtarët e shërbimit ushtarak dhe 12 javë leje prindërore të paguar për punonjësit federalë.

Projektligjet u nënshkruan pasi ligjvënësit republikanë dhe demokratë arritën të bënin kompromise vetëm disa ditë pasi Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët votoi për të fajësuar presidentin nën akuza për shpërdorim të pushtetit dhe pengim të hetimit mbi veprimet e tij nga Kongresi.

Ndërsa republikanët e trumpetuan paketën e shpenzimeve si një fitore për ushtrinë amerikane, demokratët thanë se ata arritën të sigurojnë fonde për rritjen e pagave për punonjësit civilë federalë, hulumtimet mbi dhunën me armë, sigurinë e zgjedhjeve dhe një rritje të fondeve për studimin e klimës.

Forca Hapësinore e propozuar nga Presidenti Trump, dega e gjashtë e ushtrisë amerikane, u financua në këmbim të financimit të propozimit të lejes prindërore të demokratëve, që u jep 2 milionë punonjësve federalë, 12 javë pushim të paguar për herë të parë në historinë amerikane.

Forca Hapësinore do të jetë dega e parë e re e ushtrisë amerikane në më shumë se 60 vjet.

Gjenerali John “Jay” Raymond, komandant i Komandës Amerikane të Hapësirës dhe Komandës Hapësinore të Forcave Ajrore, e quajti degën e re ushtarake “me rëndësi kritike për vendin”, dhe tha “Udhëheqja e Amerikës në hapësirë po rezonon globalisht. … Pa diskutim që Shtetet e Bashkuara janë më të mirat në botë në hapësirë tani për tani, dhe sot ne jemi edhe më të mirë.”

Raymond tha se ndërsa ka ende shumë pyetje rreth Forcës Hapësinore, përfshirë atë se si do të quhen anëtarët e Forcës Hapësinore apo sesi do të duken uniformat e tyre, “Kjo është me të vërtetë e rëndësishme për kombin tonë”.

Rreth 16,000 personel ushtarak dhe civil do të caktohen në Forcën Hapësinore. Kjo përfshin 2.500 operatorë ushtarakë (personel ushtarak që kryejnë aktivisht detyra që lidhen me hapësirën), 6,200 personel të regjistruar dhe rreth 3,400 civilë.

Disa baza aktuale të Forcave Ajrore Amerikane përfundimisht do të riemërtohen pasi ato kryejnë kryesisht, funksionet e Forcës Hapësinore. Lista përfshin ndër të tjera bazën e Forcave Ajrore Peterson, Baza e Forcave Ajrore Schriever, Baza e Forcës Ajrore Buckley, Baza e Forcave Ajrore Patrick dhe Baza e Forcave Ajrore Vandenberg.