Trump dërgon grup prokurorësh në Ballkan për të hetuar keqpërdorimin e fondeve të USAID-it

Administrata e Presidentit Donald Trump ka kaluar nga denoncimet publike për keqpërdorimin e fondeve të USAID-it në shtetet ballkanike, duke dërguar një grup prokurorësh që do të hetojnë projektet që janë zbatuar deri tani me fondet e taksapaguesve amerikanë.

Marketing

Në krye të këtij grupi është ish-prokurori federal, Martin De Luca, i cili ka nisur hetimet në Sarajeva. Sipas De Luca, në katër vitet e fundit janë shpenzuar 402 milionë dollarë përmes projekteve të USAID-it në rajon, përmes OJQ-ve të ngritura nga fondacioni Soros. Nga ky shumë, 250 milionë dollarë mbeten të pajustifikueshme dhe kjo ka ngritur dyshime për korrupsion.

“Në katër vitet e fundit, këtu janë disbursuar 402 milionë dollarë përmes programeve të ndryshme. Prej tyre, 150 milionë dollarë mund të justifikohen, dhe rreth 250 milionë dollarë mbeten të pajustifikuara, gjë që na ngre dyshime për korrupsion. Këto janë para nga qytetarët amerikanë. Ekipi im tashmë po heton operacionet e USAID-it edhe në shtetet e tjera të rajonit e më gjerë. Presidenti Trump është shumë i vendosur që ne të zbulojmë sa më shpejt gjithçka që ka ndodhur me keqpërdorimin e këtyre fondeve. Jemi të vetëdijshëm se pjesa më e vështirë e misionit tonë është marrja e provave ndaj kërkojmë bashkëpunimin e autoriteteve në këto shtete,” tha Martin De Luca.

Një ditë më parë, në Kongresin amerikan, u soll në vëmendje rasti i Shqipërisë, ku u tha se me fondet e taksapaguesve amerikanë ishte financuar Reforma në Drejtësi dhe persekutimi ndaj liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Në këtë kuadër, Ambasada amerikane kishte njoftuar disa javë më parë ndërprerjen e fondeve që jepte USAID për Shqipërinë. Ky zhvillim vjen pas shqetësimeve të ngritura lidhur me përdorimin e këtyre fondeve dhe ndikimet që ato kanë pasur në politikat dhe drejtësinë e vendit./NOA.al