Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se është duke konsideruar dhënien fund të praktikës që edhe zyrtarë tjerë qeveritarë të dëgjojnë bisedat që ai zhvillon me liderë të huaj.
“Unë mund t’i jap fund kësaj praktike tërsisht”, ka thënë Trump gjatë një interviste në radio.
Një thirrje telefonike e korrikut të vitit 2019, në mes të Trumpit dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka qenë në qendër të procedurave që patën nisur demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve për të shkarkuar presidentin amerikan.
Ata kanë akuzuar Trumpin se i ka bërë presion Kievit që të nisë hetime për rivalin e tij politik, Joe Biden.
Trump ka mohuar këto pretendime, derisa Senati e ka shfajësuar nga akuzat për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit.
Presidentët amerikanë kanë stafin e tyre që punon në një dhomë të veçantë të Shtëpisë së Bardhë, të cilët dëgjojnë dhe marrin shënime gjatë bisedave që zhvillohen me liderë të huaj.
Personeli i Këshillit për Siguri Kombëtare më pas shfrytëzon transkriptet për të krijuar memorandume rreth bisedës, të cilat shërbejnë si dokumente zyrtare.
“Kjo praktikë afatgjatë synon ta ndihmojë dhe mbrojë presidentin. Ajo lejon që presidenti dhe këshilltari për siguri kombëtare të analizojnë marrëveshjet e krijuara gjatë bisedave telefonike dhe të hedhë poshtë çdo pretendim të pasaktë që mund të bëhet nga pala e huaj”, ka thënë veterani, Larry Pfeiffer, i cili ka menaxhuar dhomën ku zhvillohen këto biseda gjatë administratës së ish-presidentit amerikan, Barack Obama.
Ndërkohë Trump ka thënë se procedurat e gjyqit kundër tij e kanë bërë të mendojë për ditët e “zeza”, kur Richard Nixon ka dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit në gusht të vitit 1974 për shkak të skandalit Watergate, para se të niste gjyqi kundër tij.
“Është një gjë e tmerrshme dhe unë mendoj për Nixonin më shumë sesa për çdokënd tjetër, rreth asaj se sa e rëndë ka qenë ajo periudhë për shtetin tonë”, rreth (incizimeve sekrete në Shtëpinë e Bardhë) dhe ngjarjes së tmerrshme”, ka thënë mes tjerash Trump.