Trump ndërhyn në politikën britanike në prag të vizitës së tij në Londër

Në prag të vizitës së dytë si president amerikan në Londër, që do të shoqërohet nga një operacion sigurie disa miliona stërlinash, Donald Trump ka ndërhyrë haptazi në politikën e brendshme britanike.

Ai ka mbështetur publikisht Boris Johnsonin, një nga pretendentët për postin e udhëheqësit të konservatorëve në pushtet dhe automatikisht kryeministrit të ri, i cili do të zëvendësojë mikpritësen e tij Theresa May.

Marketing

Në këtë garë, e cila pritet të fillojë në fund të javës së ardhshme dhe do të zgjasë për një muaj, janë përfshirë një dyzinë kandidatësh, ndërsa fituesi i saj do të jetë shefi i ekzekutivit britanik me detyrën “mamuthiane” në prehër, atë të zgjidhjes së ngërçit të “Brexit”-it.

Në një intervistë dhënë tabloidit “The Sun”, Donald Trump deklaron se, “këtë çeshtje e kam studiuar shumë, por mendoj se Boris Johnson do të bëjë një punë shumë të mirë. Mendoj se do të jetë i shkëlqyer në këtë post. E pëlqej atë, gjithmonë e kam pëlqyer”.

Edhe pse nuk përmendi emra, Trump shtoi se edhe kandidatë të tjerë i kanë kërkuar mbështetjen, e tha se “do të ndihmojë këdo”.

Presidenti amerikan, edhe më parë e kishte kritikuar mënyrën sesi kryeministrja Theresa May kishte negociuar me BE-në, me shefen në largim të ekzekutivit që do të jetë mikpritësja e tij zyrtare.

Në këtë intervistë për tabloidin më të madh dhe më të njohur anglez, “The Sun”, ai tha se Britania “i kishte lejuar Bashkimit Europian të kishte të gjitha kartat në duart e veta”.

“Është shumë e vështirë të luash mirë një lojë, kur njëra palë i ka të gjitha avantazhet”.

Trump kritikoi edhe Dukeshën e Sussexit, princeshën më të re të familjes mbretërore, amerikanen Meghan Markle, e cila ka qenë kundër Trumpit.

“Çfarë mund të them për të? Nuk e dija që ajo ishte aq e keqe”, ka thënë ai.

Donald Trump shkon të hënën në Londër dhe pritet të ketë protesta kundër kësaj vizite, e cila për nga koha kur Britania ka një kryeministre në ikje dhe një kryministër në ardhje pa emër, e bën atë të çuditshme, vizitë kjo e planifikuar shumë përpara se “Brexit” të ndryshonte kuajt e karrocës politike në ishull.

Marketing