Trump paraqitet në gjykatë, do përballet me 37 akuza

Ish-Presidenti Donald Trump ka mbërritur në gjykatën Wilkie D Ferguson Jr, ku do të dëgjojë 37 akuzat federale kundër tij.

Marketing

Trump përballet me 37 akuza, mes të cilave, mbajtje e qëllimtë e dokumenteve sekrete të mbrojtjes, konspiracion, pengim të drejtësisë dhe deklarata të rreme. Kjo është hera e parë në historinë e vendit që ndaj një ish-presidenti ngrihen akuza federale.

Kjo është hera e dytë që nga muaji prill, që Trump përballet me akuza penale. Por ndryshe nga rasti i Nju Jorkut, ekspertët ligjorë e kanë cilësuar aktpadinë e prokurorëve federalë, një çështje më të fortë. Akuzat përfshijnë ndër të tjera shkelje të ligjit të spiunazhit, i cili e konsideron një vepër penale mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve që lidhen me mbrojtjen. Nëse shpallet fajtor Trump rrezikon një dënim maksimal prej 20 vitesh heqje lirie.

Ish-Presidenti ka deklaruar më parë se është i pafajshëm dhe është zotuar se do të vazhdojë fushatën e tij për t’u rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë në vitin 2024.

Problemet ligjore nuk e kanë dëmtuar popullaritetin e Trump në mesin e votuesve republikanë. Sondazhet e opinionit publik e tregojnë atë shumë përpara rivalëve të tij, që garojnë për të siguruar kandidimin zyrtar nga partia. Deri më tani, të gjithë kandidatët kanë qenë kryesisht në anën e tij mbi këtë çështje.

Paraqitja e Trump në gjykatë po paraprihet nga një retorikë e përshkallëzuar në internet, përfshirë deklaratat me tone sfiduese nga ana e ish-presidentit dhe aleatëve të tij politikë. Kjo ka bërë që zyrtarët e zbatimit të ligjit të vihen në gatishmëri për probleme të mundshme që lidhen me sigurinë. Autoritetet thanë se po monitorojnë gjithashtu planet për mitingje pro Trump në Miami.

Akpadia, ka rikthyer vëmendjen tek gjykatësja federale Aileen Cannon, emri i së cilës u bë i njohur për publikun verën e kaluar, kur ajo mbikëqyri procedurat gjyqësore në lidhje me kontrollin e autorizuar, që FBI-ja kreu në rezidencën e Trump në Mar-a-Lago të Floridës, për të marrë dokumentet sekrete. Cannon, emëruar në këtë detyrë nga Trump në vitin 2020, do të jetë edhe gjykatësja e çështjes që lidhet me dokumentet sekrete.

Ajo mbahet mend për vendimin e saj të diskutueshëm për të caktuar një ekspert të posaçëm, për të shqyrtuar mënyrën se si u mblodhën provat gjatë kërkimit të kryer nga FBI, një vendim që u rrëzua përfundimisht nga një gjykatë apeli, me gjykatës konservatorë, që u treguan mjaft kritikë mbi mënyrën e trajtimit të çështjes nga Cannon.

Marketing