Presidenti amerikan Donald Trump flet për mundësinë e një marrëveshjeje historike mes Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiçit, në letrën që i ka dërguar presidentit kosovar.
Letrën e Trumpit e publikoi vet Thaçi në Facebook. Në të thuhet se, kjo është një mundësi e rrallë për Kosovën, dhe një e ngjashme me të nuk dihet se kur mund të vijë sërish.
“Kosova është një partner vendimtar në përpjekjet tona për të garantuar paqen dhe stabilitetin për të gjithë Europën. Unë i mirëpres përpjekjet tuaja për pajtim me Serbinë.
Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër ujdie paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë. Unë iu nxis juve dhe udhëheqësit e Kosovës që ta shfrytëzoni këtë moment unik, të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe, e të përmbaheni nga veprimet që mund ta vështirësojnë arritjen e marrëveshjes”, lexohet në letër.
“Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë për suksesin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”, vazhdon më tej mesazhi i shefit të Shtëpisë së Bardhë, ku shprehet gatishmëria e Amerikës për të dhënë ndihmesën e saj në vulosjen e ujdisë.
“Ne jemi të gatshëm që t’iu ndihmojmë në përpjekjet tuaja për të arritur një marrëveshje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë. Një pakti i tillë është i arritshëm. Unë pres që t’iu kem juve dhe presidentin Aleksandar Vuçiç në Shtëpinë e Bardhë për të festuar atë që do të jetë një marrëveshje historike”, shkruan më tej në letër Trumpi.