“Trupat serbe 50 m nga kufiri”, Kurti ngriti alarmin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbrëmjen e së shtunës përmes një postimi në Facebook ngriti alarmin për prezencën e trupave të ushtrisë serbe vetëm 50 metër larg kufirit me Kosovën.

Marketing

Kurti publikoi edhe imazhe që tregonin trupat dhe mjetet ushtarake të Serbisë, pranë zonës së Kamenicës, duke akuzuar Beogradin për lëvizje provokuese përmes së cilave synon të ringjallë tensionet.

Serbia iu kundërpërgjigj shefit të qeverisë në Prishtinë, duke pranuar prezencën e trupave të saj në kufi, me argumentin se ndodheshin aty për të “parandaluar kontrabanduesit e drunjve të prerë ilegalisht nga territori i Serbisë, që është kthyer në një biznes ilegal fitimprurës”.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë hodhi poshtë akuzat e Kurtit për një tentativë të tyre për të nxitur tensione, duke theksuar se deklaratat për lëvizjen e forcave të ushtrisë serbe afër Kosovës “janë vazhdimësi e fushatës dezinformuese të drejtuar kundër ushtrisë serbe dhe forcave të sigurisë serbe”.

Në reagimin e KFOR për A2 CNN thuhet se ata kanë qenë të informuar rreth pranisë së ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën.

“Lidhur me ngjarjen e 13 tetorit, KFOR-i u informua me kohë nga Forcat e Armatosura të Serbisë se ky ishte një aktivitet rutinë patrullimi i kryer nga Forcat e Armatosura të Serbisë në afërsi të Vijës Kufitare Administrative (ABL). Një informacion i tillë më pas i ka kaluar Policisë së Kosovës. KFOR-i është i pozicionuar mirë për të monitoruar rregullisht situatën përgjatë ABL.

Vlerësojmë se ky aktivitet i fundit i Forcave të Armatosura të Serbisë nuk ka përcaktuar ndonjë ndryshim të situatës së sigurisë në zonën në fjalë. Është e rëndësishme të vazhdohet të sigurohet koordinimi dhe komunikimi në kohë për të parandaluar keqkuptimet”, thuhet në reagimin e KFOR.

Më tej KFOR sqaron se vijon të mbajë një prani të dukshme dhe fleksibël në kufi, duke monitoruar nga afër situatën në mbarë Kosovën dhe përgjatë ABL-së.

“Ne vazhdojmë të përmbushim mandatin tonë të OKB-së (bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999) për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt, për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Gjithashtu, komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë së Kosovës dhe shefin e Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të Serbisë. Zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura përmes dialogut është çelësi për të garantuar siguri të qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për të ruajtur stabilitetin rajonal.”

Ndërkohë sa i përket kërkesës së Albin Kurtit drejtuar NATO-s për të rikthyer në fuqi pas 23 vitesh zonën e sigurisë tokësore dhe ajrore prej 5 kilometra rreth kufirit me Kosovën, KFOR shprehet se një vendim i tillë mund të merret vetëm nën miratimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut.

“Lidhur me pyetjen tuaj, zonat e sigurisë tokësore dhe ajrore (GSZ), të krijuara përmes Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjes Teknike Ushtarake (MTA) të vitit 1999, u lehtësuan plotësisht në vitin 2015. Në përputhje me MTA, vetëm komandanti i KFOR-it , nën miratimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut (organi vendimmarrës i NATO-s) ka autoritetin për të rifutur dhe/ose relaksuar zonat e sigurisë”, thuhet në reagimin e KFOR. /A2 CNN.

Marketing