Tunizi, të paktën 29 migrantë vdesin pas fundosjes së dy anijeve

Të paktën 29 migrantë kanë vdekur pasi dy anije të vogla u fundosën afër brigjeve të Tunizisë brenda disa orësh nga njëra-tjetra, thanë zyrtarët.

Marketing

Migrantët nën-saharianë po tentonin të kalonin Mesdheun për të arritur në Itali.

Fundosja e dy anijeve është në serinë e ngjarjeve të ngjashme që kanë ndodhur në brigjet tuniziane në ditët e fundit, pasi në katër ditët e fundit janë fundosur edhe pesë anije të tjera.

Këto ngjarje vijnë pasi Tunizia ka nisur një fushatë kundër migrantëve afrikanë pa dokumente.

Ndërkaq, zyrtarët italianë në ishullin e Lampedusës kanë thënë se janë të mbingarkuar, pasi kanë regjistruar rekord të arrijes së migrantëve brenda 24 orëve, përkatësisht 2.500 migrantë.

Kryeministrja e ekstremit të djathtë në Itali, Giorgia Meloni, ka paralajmëruar se Evropa mund të përballet me rreziqe pasi një valë e madhe refugjatët mund të arrijnë në kontinent.

Tunizia është bërë qendër për migrantët të cilët duan të arrijnë në Evropë. Kombet e Bashkuara kanë thënë se të paktën 12.000 migrantë që kanë arritur këtë vit në brigjet italiane, ishin nisur nga Tunizia. Kjo shifër ishte 1.300 në periudhën e njëjtë në vitin e kaluar.

Megjithatë, rojet bregdetare tuniziane kanë thënë se po ndërmarrin hapa për të ndaluar migrantët që të kalojnë Mesdheun, duke argumentuar se kanë ndaluar rreth 80 anije që ishin nisur drejt Evroës në katër ditët e fundit. Autoritetet tuniziane po ashtu kanë thënë se kanë arrestuar mbi 3.000 migrantë.