Turizmi, rriten mashtrimet online me prenotimet! Jepet alarmi në Itali

Rritja e nivelit të mashtrimeve online në sektorin e turizmit, ka shqetësuar autoritetet italiane. Sipas raportit të vitit 2023 që përfshin sigurinë kibernetike, ka pasur një rritje të konsiderueshme të tentativave të mashtrimit online në Itali.

Marketing

Si pasojë, shifra e parave të përvetësuara bë këtë mënyrë shkoi nga 114 milionë euro në 137 milionë, apo plus 20%, shkruajnë mediat italiane.

Forcat e rendit atje kanë dalë me disa këshilla për të mos rënë viktimë e mashtrimit online. Së pari, duhet kontrolluar gjithmonë adresa e faqes së internetit dhe të verifikohen rezervimet e bëra përmes platformës zyrtare.

Ato kanë tërhequr vëmendjen të mos klikohen faqe të panjohura, për të cilat nuk ka siguri se i përkasin një kompanie ekzistuese. Kujdes këshillohet edhe ndaj kërkesave për depozitim parash.

“Asnjëherë mos paguani me transfertë bankare, është më mirë të përdorni një kartë krediti, e cila ofron më shumë mbrojtje. Nëse merrni një kërkesë për të paguar një udhëtim nëpërmjet transfertës bankare, kriptomonedhave apo kartave të dhuratave, ka shumë të ngjarë një mashtrim”, thuhet në njoftim.

Është gjithashtu një ide e mirë të kontrolloni komentet e klientëve të tjerë për të krijuar një ide më të saktë të akomodimit që dëshironi të rezervoni, vazhdon deklarata.

Sipas Raportit, brezat më të rinj janë më pak të vëmendshëm kur bëhet fjalë për sigurinë në internet. Kështu, 1 në 5 italianë deklaron se është mashtruar të paktën një herë gjatë blerjeve online, dhe përqindja e të mashtruarve është më e lartë është tek grupmosha 25 deri në 34 vjeç.