Turqia akuzoi të premten avionët luftarakë grekë për shkelje të hapësirës së saj ajrore mbi Detin Egje, gjë që sipas burimeve turke të sigurisë, ka ndodhur 30 herë në 72 orë.
Greqia dhe Turqia, aleatë të NATO-s, por rivalë rajonalë në Mesdheun lindor, shpesh përplasen për shkeljet e hapësirës ajrore në Egje.
Avionët luftarakë grekë përpiqen rregullisht të përgjojnë avionët turq që hyjnë në atë që Athina e konsideron hapësirën e saj ajrore, duke u përfshirë herë pas here në përleshje të rrejshme në ajër.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke Tanju Bilgiq akuzoi forcat ajrore greke për kryerjen e “fluturimeve me qëllim të nxitjes së provokimeve pranë bregdetit turk” dhe për “shkeljen e hapësirës ajrore turke” disa herë në periudhën nga e marta deri të enjten.
Ankaraja u përgjigj “në përputhje me rregullat e saj të angazhimit”, shtoi ai.
Burimet turke të sigurisë thanë se të mërkurën u regjistruan 22 shkelje të hapësirës ajrore dhe se forcat ajrore turke u kundërpërgjigjen çdo herë. Këto burime kritikuan “veprimet e paligjshme, provokuese dhe agresive të Greqisë në Detin Egje”.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha të enjten se kishte informuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg për “sjelljen e fundit provokuese të forcave të armatosura turke”, të cilat shkelin hapësirën ajrore greke dhe “fluturojnë në mënyrë të rrezikshme” mbi ishujt grekë.
Turqia i ka hedhur poshtë kritikat si “të pabaza” dhe “të papajtueshme me agjendën e fundit pozitive dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”.
Mitsotakis, në mars u takua me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan në Stamboll, i cili ishte takim i rëndësishëm për t’u afruar në kontekstin e luftës në Ukrainë.
“Ne presim që pala greke t’i japë fund retorikës dhe veprimeve të saj provokuese dhe të mbështesë sinqerisht procesin e ndërtimit të besimit të nisur si dypalësh dhe brenda NATO-s, në mënyrë që incidente të tilla të mos ndodhin më”, tha Bilgiq.