Turqia bllokon Instagramin

 

Turqia e ka bllokuar aksesin në platformën sociale, Instagram brenda territorit të vendit njoftoi të premten Autoriteti për Teknologji dhe Komunikim i Turqisë (BTK).

Marketing

BTK nuk ka shpjeguar arsyet e as sa do të zgjasë ky bllokim, i cili pamundëson aksesin edhe në aplikacionin e Instagramit në telefonat cekularë.

Ky vendim vjen dy ditë pasi zyrtari i lartë turk Fahrettin Altun, e kritikoi Instagramin për, siç tha, pengimin e postimeve ngushëlluese për vrasjen e Ismail Haniyeh, liderit politik të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Kjo është thjesht censurë”, tha Altun, drejtor për komunikim në Presidencën e Turqisë, duke thënë se Instagrami nuk kishte përmendur ndonjë shkelje në rregullat e saj kur e kishte marrë atë vendim.

Pronarja e Instagramit, META nuk ka komentuar as për ndalesën e as për komentet e Altunit.

Turqia i bashkohet Iranit, Koresë së Veriut dhe Kinës për bllokimin e rrjetit social Instagram.