Turqia dëbon 150 luftëtarë të huaj

Autoritetet turke kanë deportuar 150 luftëtarë të huaj në vendet e tyre të origjinës, që kur Ankaraja filloi programin e kthimit të tyre, më 11 nëntor të vitit 2019.

Marketing

Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Ismail Catakli.

Turqia po mban qindra luftëtarë të dyshuar të grupit ekstremist të ashtuquajtur, Shteti Islamik (IS).

Zyrtarët turq filluan procesin e riatdhesimit të tyre, pavarësisht thirrjeve të disa vendeve evropiane që të dyshuarit të gjykohen në vendin ku e kanë kryer krimin.

Qindra luftëtarë të huaj, ranë në duart e forcave turke, pas ofensivës së Turqisë në veri të Sirisë, e cila kishte për qëllim të dëbojë forcat kurde.

Më 14 nëntor të vitit 2019, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, u bëri thirrje anëtarëve të koalicionit që luftojnë grupin militant ekstremist Shteti Islamik (IS), që të kthejnë në vendet e tyre xhihadistët, dhe të rrisin fondet për të rindërtuar infrastrukturën në Irak dhe Siri, vende këto të shkatërruara nga konflikti.