Turqia dhe Rusia arrijnë marrëveshje për largimin e kurdëve nga Siria veriore

Presidenti turk, Rexhep Erdogan, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, kanë arritur marrëveshje për parametrat e zonës së sigurisë në Siri. Ky zhvillim mund t’i japë fund ofensivës turke kundër forcave kurde në brezin kufitar mes Sirisë dhe Turqisë.

Marketing

Dy liderët zhvilluan bisedime të gjata në qytetin bregdetar rus, Soçi, të cilat zgjatën më shumë se gjashtë orë. Ato u mbajtën vetëm dy orë para se të përfundonte armëpushimi pesëditor, i ndërmjetësuar nga zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence.

Lideri turk tha se kjo është një marrëveshje historike kur foli para gazetarëve bashkë me Putinin. “Sipas kësaj marrëveshjeje, Turqia dhe Rusia nuk do të lejojnë ndonjë agjendë separatiste në territorin sirian”, tha ai.
Marrëveshja e së martës e përcakton zonën që do të kontrollohet nga forcat turke, e cila do t’i shtohet territoreve që Turqia i kishte marr nën kontroll nga luftëtarët e Shtetit Islamik dhe forcat kurde gjatë operacioneve në vitet 2016 dhe 2018.

Kjo marrëveshje u cilësua si lajm i mirë për Ankaranë dhe rezultat i dobët për Forcat Demokratike Siriane. Në këtë mënyrë, Moska besohet se tashmë e ka fituar një rol të ri për ndarjen e pushtetit në Lindjen e Mesme në kohën kur ndikimi i Shteteve të Bashkuara në këtë rajon po dobësohet.

Ministrat e jashtëm të Turqisë dhe Rusisë thanë se, duke nisur nga dita e mërkurë, policia ushtarake ruse dhe rojet kufitare siriane do të marrin pjesë në operacionin për largimin e luftëtarëve dhe armatimit kurd nga pozicionet e tyre kufitare, shkruan “The Guardian”.

Marketing