Turqia dhuron 7.400 komplete uniformash për Armatën e RMV-së

Ambasadori i Turqisë Hasan Mehmet Sekizkok, sot në kazermën e Shkupit “Ilinden” i dhuroi ministres së Mbrojtjes Radmilla Sheqerinska, donacion për ARM-në 7.400 komplete uniformash.

Marketing

Sheqerinska tha se tashmë ka përfunduar edhe blerja e dytë e uniformave të reja për pjesëtarët e Armatës, si dhe janë siguruar pajisje të reja ABH dhe pajisje sportive për të gjithë ushtarët, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sheqerinska tha se me këtë donacion çdo pjesëtar i ARM-së do të ketë përgatitje të plotë, me çka siç tha, mund të krenohen se ushtria e Maqedonisë është ushtri e përgatitur.

“Vitet e kaluara në politikat tona për anëtarësim në NATO, Turqia ka qenë aleat i zëshëm dhe i vazhdueshëm, kanë qenë të pranishëm në takimet e Aleancës me mesazhe dhe mbështetje për shtetin tonë. Mbështetja nuk ka qenë vetëm me mesazhe politike, por vitet e kaluar ka pasur edhe bashkëpunim për modernizimin dhe pajisjen e Armatës”, tha Sheqerinska.

Ndërsa ambasadori Sekizkoz tha se bashkëpunimi në mes RMV-së dhe Turqisë bazohet në themele të sigurta dhe se do të vazhdojë edhe në fusha tjera.