Turqia dhuron karroca elektrike për personat me aftësi të kufizuara në Maqedoninë e Veriut

Në një aktivitet të mbajtur në Shkup me rastin e 3 Dhjetorit – Ditës Botërore të Personave me Aftësi të Kufizuara, Türkiye dhuroi karroca elektrike për personat me aftësi të kufizuara, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Dhurimi i karrocave elektrike për personat me aftësi të kufizuara u realizua në kuadër të programit të organizuar nga Shoqata e Individëve me Nevoja të Veçanta “SOS Vita” me qendër në Shkup, në bashkëpunim me Zyrën e Këshilltarit për Shërbimet Fetare në Ambasadën e Türkiye-s në Shkup dhe Dega në Hamburg e Unionit Turko-Islam për Çështjet Fetare (DITIB) në Gjermani.

Në program krahas ministrit të Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame (BFI), Shaqir Fetahu, këshilltarit të Shërbimeve Fetare në Ambasadën e Türkiye-s në Shkup, Mustafa Mesten, kryetarit të Shoqatës SOS Vita, Ertan Shakiri morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke dhe rajonale në vend, përfaqësues të DİTİB, persona me aftësi të kufizuara anëtarë të “SOS Vita”, familjarë të tyre si dhe të ftuar të tjerë.

Ministri Sali në një deklaratë për gazetarët tha se janë mbledhur me rastin e Ditës Botërore të Personave me Aftësi të Kufizuara për t’u dërguar një mesazh punonjësve të shëndetësisë se “duhet të interesohen më shumë për personat me nevoja të veçanta”.

“Si ministri e shëndetësisë, zhvillojmë politika shëndetësore lidhur me klasifikimin e aftësive të personave me nevoja të veçanta. Teksa kryejmë klasifikimet ne i sistemojmë ato ose sigurojmë përfshirjen e tyre në shoqëri. Natyrisht çdo individ në këtë botë ka një aftësi personale. Këto aftësi i nxjerrim duke i integruar në punët e përditshme, në sistemin shtetëror ose në sektorin privat”, tha Sali.

Kreu i shoqatës “SOS Vita”, Shakiri deklaroi se i falënderon të gjithë ata që i lumturuan personat me aftësi të kufizuara në këtë ditë domethënëse.

“Sot është dita më e bukur. Të gjithë duhet ta dinë këtë në Maqedoninë e Veriut. Sot është një ditë e madhe, është një gëzim i madh. Sot me 15 karrocat elektrike do të gëzohen 15 prej anëtarëve tanë. Kjo është sikur atyre u janë dhuruar ‘këmbë’. Gjithmonë jemi me Türkiye-n. Pa ekzistencën e Türkiye-s edhe ne nuk mund të ekzistojmë. Türkiye është një shtet i madh. Ka njerëz me zemër të pasur. Ju lutem të mos harrojmë vëllezërit tanë me aftësi të kufizuara në Maqedoninë e Veriut”, tha Shakiri.

Këshilltari i Shërbimeve Fetare në Ambasadën e Türkiye-s në Shkup, Mesten shprehu falënderimet për ata që kanë ofruar ndihmë në dërgimin e karrocave elektrike për personat me aftësi të kufizuara.

“Edhe ne si Zyrë e Këshilltarit për Çështje Fetare, për të eliminuar sadopak pengesat para vëllezërve tanë të cilët e kanë filluar jetën në disavantazh në krahasim me ne ose janë bërë me aftësi të kufizuara pas një pjese të caktuar të saj, shprehëm dëshirën për të bërë një punë me Fondacionin Diyanet të Türkiye-s dhe Degës DİTİB në Hamburg të Gjermanisë. Në kuadër të kësaj pune shpresojmë se do të realizojmë shpërndarjen e 20 karrocave elektrike për personat me aftësi të kufizuara, prej të cilave 15 për Shoqatën ‘SOS Vita’ dhe 5 për Shoqatën ‘Mirësia’”, tha Mesten.

Përfaqësuesja e DİTİB, Safiye Kılıç tha se “Në të vërtetë nuk është pengesë, për sa kohë që ajo nuk është në zemrat, në shpirtin tonë. Jemi shumë të lumtur që ndodhemi sot këtu”.

“Jemi të lumtur nëse kemi ndihmuar sadopak në dobi të tyre. Jemi këtu për të ofruar një ndihmë në mënyrë që të mund të lehtësojmë sadopak jetën e tyre. Të mos bëhemi pengesë, të bëhemi mbështetje”, tha Kılıç.